Tirana e pamëshirshme

Basketboll

Tirana e pamëshirshme

Më: 26 prill 2024 Në ora: 22:26
Pamje nga ndeshja

Ekipi i Tiranës në basketboll për femra fitoi sot në mbrëmje 60-53 ndaj Flamurtarit në finalen e dytë play off, ndeshje e luajtur në “Feti Borova” në kryeqytet. Një sukses i vështirë por i merituar i skuadrës bardheblu, që udhëheq 2-0 me ndeshje dhe është një fitore larg titullit kampion.

Flamurtari kampion, ashtu si në ndeshjen e parë në fushën e tij, nuk ishte aq agresiv sa pritej, duke bërë shumë gabime. Mbrojtja e Tiranës ishte në nivelin e duhur, duke u dhënë pak hapësira mikeshave, që shënuan shumë pak pikë, duke zhgënjyer sërish.

Pas një periode të parë të ekuilibruar, mbyllur 15-14 për bardheblutë, skuadra e trajneres Alibegaj nis të marrë frenat e lojës në dorë. Pjesa e parë përfundon 37-28 për Tiranën, që arrin të menaxhojë mirë avantazhin edhe në periodën e tretë, që mbyllet 45-34.

Flamurtari përpiqet shumë në 10-minutëshin e fundit të rihapë ndeshjen, por Tirana ruan një epërsi prej 7-8 pikësh deri në fund dhe fiton 60-53. Morina Bojka me 23 pikë është lidere në fushë për bardheblutë, ndërsa për vlonjatet u dallua Henderson me 21 pikë e 15 rebound.

Ndeshja e tretë finale do të luhet më 30 prill në Vlorë, ku për vendaset është shansi i fundit për të rihapur garën, ndërsa Tirana do të kërkojë të shkurorëzojë vlonjatet. Kampion shpallet ekipi që fiton 3 nga 5 ndeshjet finale play off.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat