Benitez: Asnjë problem me James Rodriguez

Sporti

Benitez: Asnjë problem me James Rodriguez

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:49

Te Reali i Madridit nuk ekziston asnjë lloj çështje me emrin James Rodriguez.

Trajneri Rafael Benitez në konferencën për shtyp në vigjilie të sfidës së Kupës së Mbretit ndaj modestëve të Cadiz-it theksoi se mes tij dhe futbollistit kolumbian gjërat shkojnë mirë, dhe nuk ka asnjë mosmarrëveshje. Mediat spanjolle kohët e fundit i kanë bërë shumë bujë raportit që ekziston mes trajnerit spanjoll dhe James Rodriguez-it, kjo për vetë faktin se 55-vjeçari e ka aktivizuar pak yllin e Los Cafeteros këtë sezon.

“Mes meje dhe James nuk ka asnjë problem, ai është një futbollist i madh dhe kjo është gjëja që ka më shumë rëndësi. Ju gazetarët kur bëni analiza të ndryshme duhet të merrni parasysh edhe faktin që Rodriguez ka qëndruar për plot 55 ditë jashtë fushave. Dua të nënvizoj se James ka mbështetjen time maksimale mos harroni që ai është pjesë e një klubi si Reali i Madridit ku konkurrenca për një fanellë titullari është gjithmonë shumë e madhe. Unë jam sqaruar me të për gjithcka dhe tashmë pres të shoh më të mirën e tij në fushën e blertë. Reali i Madridit ka nevojë për golat e James Rodriguez”.

Në vijim Benitez shkëputi një mendim edhe për bomberin francez, Karim Benzema, i cili nuk po kalon një moment shumë pozitiv në aspektin personal.

“Unë e konsideroj Benzeman një futbollist të shkëlqyer dhe mbi të gjitha një shok fantastik për djemtë e tjerë të ekipit. Në jetën private ai po kalon disa probleme por ka mbështetjen tonë maksimale dhe atë të klubit. Benzema është një lojtar shumë i rëndësishëm në repartin e avancuar për ne”.

Përsa i përket ndeshjes ndaj Cadiz-it Benitez shtoi se Los Blancos nuk do ta kenë të lehtë pasi të gjitha skuadrat japin 100% e tyre kur luajnë përballë Realit të Madridit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat