Sigal Prishtina-AEK, sikur finale

Sporti

Sigal Prishtina-AEK, sikur finale

Nga: Kemajl Goca Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 10:45

I madh dhe i vogël me padurim e presin sfidën e sotme në orën 19.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, në mes Sigal Prishtinës dhe AEK Larnaca nga Qipro, e cila është sikur finale, në takimin e vlefshëm të xhiros së gjashtë, e fundit e grupit K të Europa Cup në basketboll. Sigal Prishtina kërkon fitoren e kualifikimin, por duhet të presë edhe sfidën e Astanës me Energia Rovinarin. Prishtina në rast fitores, duhet patjetër të humb Astana për të siguruar kualifikimin, pasi Astana në takimin e ndërsjellë me prishtinasit është më e mirë.

“Kjo është ndeshja e fundit në grup dhe askush nuk ka pritur që pikërisht kjo ndeshje të vendos për fatin e tri skuadrave për të kaluar në fazën e dytë, me përjashtim te Energias që tashmë ka siguruar fazën tjetër. Gjasat për ne që të kualifikohemi ekzistojnë ende dhe kjo është me rëndësi. Nuk është reale të parashikojmë rezultatin, por detyra jonë është që kundër AEK-ut të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat sa më të mirë”, tha Marjan Ilievski, trajner i Sigal Prishtinës, që sipas tij kanë probleme me lëndime.

“Kemi probleme të mëdha, me lëndime dhe lodhje të lojtarëve. Kjo garë është shumë e fortë kurse ne jemi ekipi i vetëm që marrim pjesë në tri kompeticione në Evropë njëkohësisht. Ndeshja jonë do të zgjasë dy ditë, pasi një ditë pas duelit tonë me AEK-un do të luajnë Astana me Energian dhe nuk do të jemi të qetë deri pas përfundimit të kësaj ndeshjeje. AEK-u është një ekip serioz me lojtarë cilësor kurse duhet përmendur Primozh Brezec që i shton ekipit cilësi dhe përvojë. Në ndeshjen e parë, AEK-u ka dëshmuar se është efikas në gjuajtjet për tri pikë kurse në do të mundohemi ta ndalim Brezecin si pikën e tyre më të fortë edhe pse jemi të hendikepuar”, thotë Ilievski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat