Klubet angleze pasuruan agjentët me 130 mln Paund!

Sporti

Klubet angleze pasuruan agjentët me 130 mln Paund!

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 07:23

Ata po marrin përherë e më shumë peshë si njerëzit më të rëndësishëm të botës së futbollit jashtë fushave të blerta. 130 milionë Paund, kaq është shuma që kanë paguar në total klubet e Premier League gjatë 12 muajve të fundit për komisionet e agjentëve të lojtarëve.

Kjo shifër tregon qartësisht situatën e mirë financiare që po kalojnë klubet ishullore, të cilat nuk e kanë aspak problem të derdhin shuma të mëdha edhe në llogaritë e agjentëve për të firmosur me çdo kusht me lojtarët e dëshiruar.

Në vendin e parë të listës qëndron Liverpooli që ka paguar për komisionet e agjentëve plot 14 milionë pound që nga Shtatori i vitit 2014 deri në Tetorin e 2015-ës, ndërsa në vendin e fundit qëndron klubi i Watford me 2 milionë Pound. Treshja e parë plotësohet nga dy klubet e Manchesterit, United dhe City që kanë paguar respektivisht 13.9 dhe 12.4 milionë, ndërsa Chelsea ka zbritur në vendin e katërt.

Arsenali mund të krenohet me vendin e pestë, i ndjekur nga West Ham dhe Tottenham. Në dy dritaret e merkatos gjatë vitit të fundit janë zyrtarizuar 172 transferime, ndërsa 542 është numri i kontratave të rinovuara nga të cilat përfitojnë edhe agjentët e lojtarëve të cilët arkëtojnë një pjesë të pagës së lojtarëve në bazë të kontratave.

Shuma e shpenzuar për komisionet gjatë 12 muajve të fundit është 15 milionë Pound më e lartë krahasuar me një vit më parë ku Chelsea kryesonte listën me 17 milionë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat