Ajeti: Ëndërr e bërë realitet

Sporti

Ajeti: Ëndërr e bërë realitet

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 14:20

Arlind Ajeti e ka nisur stërvitjen me Frosinonen që dje, në fakt, por si lojtar i kësaj skuadre debutuese në Seria A është prezantuar sot, në orën 14:00, sikurse ishte paralajmëruar. Qendërmbrojtësi i kombëtares kuqezi i jep fund “sagës” pa ekip, që prej verës së këtij viti, duke bërë një kalim të madh në karrierë.

Themi kështu, sepse bëhet fjalë për Seria A, një nga ligat më të forta në Europë, pavarësisht formës sportive që ka Frosinone. Arlind Ajeti duke pozuar para fanellës së tij me numrin 93 Në 6 muajt e ardhshëm, ish-lojtari i Baselit në Zvicër do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e veta dhe të ndihmojë klubin e ri për të mbijetuar mes më të mirëve në Itali. Nëse ia del kësaj, atëherë Ajeti do të mbetet pjesë e Frosinones edhe për dy vite të tjera. Drejtori sportiv i këtij klubi italian, Marco Giannitti, ka folur në konferencën për shtyp, të organizuar me rastin e prezantimit të Arlind Ajetit, raporton telesport.

“Ishte një blerje e shpejtë. Për skuadrën tonë ky është një muaj shumë i rëndësishëm. E kemi mbyllur këtë tratativë edhe për faktorë numerikë, pas dëmtimit të Russos. Deri në janar, Ajeti do të jetë një pikë e rëndësishme për ne”. Arlind Ajeti gjatë prezantimit të Frosinone Ndërkohë, nga ana e tij, Arlind Ajeti, gjatë konferencës për shtyp, ka folur për De Biasin, trajnerin e tij në kombëtare, i cili mund të jetë promotori i kësaj lëvizjeje: “De Biazi është një trajner shumë i mirë.

Të jesh i trajnuar nga një italian në kombëtare nuk mendoj se mund të më ndihmojë në Seria A. Besoj shumë te De Biazi, sepse më ka dhënë shumë në aspektin defensivë dhe taktik. Frosinone është zgjedhja e duhur, klub i mire, që më dha mundësinë të luaj në Serie A.

Ëndërr e bërë realitet. Për këtë kam ëndërruar që kur isha fëmijë”,- ka thënë mbrojtësi shqiptar, i cili do të veshë fanellën me numrin 93 te Frosinone. Ai ishte lojtar i lirë që nga fundi i sezonit të kaluar, kur u largua nga Baseli.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat