Anglia, e përsosur

Sporti

Anglia, e përsosur

Nga: Kemajl Goca Më: 13 tetor 2015 Në ora: 18:20

Kombëtarja e Anglisë është e vetmja që ka arritur qind për qind të pikëve në fazën e grupeve të eliminatorëve për Euro 2016. Në dhjetë ndeshje po aq fitore dhe zuri vendin e parë me 30 pikë në grupin E ose ka nëntë më shumë se Zvicra e gjashtë shqiptarëve: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Pajtim Kasami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi.

Anglia ka qenë e përsosur, kjo e dëshmon më së miri se në dhjetë ndeshje kanë pasur një seri rekorde, dhjetë fitore, që e bëjnë të lumtur përzgjedhësin Roy Hodgson. Ai tha se ndihet perfekt nga ky rekord që e bënë në fazën e grupeve. Hodgson pohoi se gjithmonë besonte se Anglia do të jetë e pamposhtur në eliminatorët për Kampionatin Evropian. Anglezët ndeshjen e fundit si mysafir triumfuan me rezultat 3:0 ndaj Lituanisë dhe e përmbyllën në mënyrën më të mirë fazën e grupeve.

Është e vetmja kombëtare me të gjitha fitore dhe konfirmon fuqinë e saj për Euro 2016. Anglia e nisi me fitore si mysafir kur e mposhti me rezultat 2:0 Zvicrën, pastaj në Wembley me 5:0 mundi San Marinon. Anglezët në udhëtim me rezultat minimal kishin mposhtur Estoninë, pastaj si vendas ngadhënjyen me 3:1 ndaj Sllovenisë dhe me 4:0 kundër Lituanisë. Edhe në pjesën e dytë të fazës së grupit arritën të gjitha fitore, në radhë të parë si mysafir gjunjëzuan me 3:2 Slloveninë, pastaj me 6:0 San Marinon. Në Wembley fituan dy takime radhazi dhe me rezultat identik 2:0, ndaj Zvicrës dhe Estonisë dhe së fundi si mysafir me 3:0 kundër Lituanisë.

Anglia ka pasur një sulm efikas, për dhjetë ndeshje realizuan gjithsej 31 gola dhe pësuan vetëm tre sosh. Kjo dëshmon se ka pasur mbrojtjen më të fortë dhe sulmin më efikas. Fitorja më e thellë (6:0) është arritur ndaj modestëve të San Marinos. Kush janë shënuesit anglez për dhjetë ndeshje? Wayne Rooney realizoi 7 gola apo ishte realizuesi më i mirë, pasojnë: Welbeck me 6 gola, Kane 3, Sterling 2, Wilshere 2, Barkley 2, Jagielka 1, Townsend 1, Walcott 1, Oxlade-Chamberlain 1 gol.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat