Rodgers shkarkohet nga Liverpooli

Sporti

Rodgers shkarkohet nga Liverpooli

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 22:46

Liverpooli shkarkon Brendan Rodgers. Barazimi 1-1 në Goodison Park në derbin ndaj Evertonit rezultoi fatal për trajnerin irlandezo-verior i cili që nga pasditja e kësaj të Diele nuk është më trajneri i The Reds. Ishte vetë klubi nga Anfield Road me një komunikatë në faqen zyrtare në internet që bëri të ditur largimin e 42-vjecarit nga drejtimi i skuadrës. Pas 3 vitesh e gjysmë përfundon edhe aventura e Brendan Rodgers në krye të Liverpoolit. Sic zbulojnë mediat angleze drejtuesit e klubit ia komunikuan shkarkimin trajnerit irlandezo-verior nëpërmjet një telefonate në përfundim të sfidës ndaj Evertonit. Takimi i Goodison Park u duk sikur po shkonte mirë për Liverpoolin kur Danny Ings kaloi The Reds në avantazh në minutën e 41-të por avantazhi i Liverpoolit zgjati me të vërtetë shumë pak sepse pas vetëm 5 minutash Lukaku barazoi rezultatin. 12 pikë në 8 javë kampionat por edhe dy barazime në dy sfidat e para në Europa League detyruan drejtuesit e Liverpoolit ti tregonin derën Brendan Rodgers-it. Sipas mediave angleze kandidati numër 1 për të zëvendësuar 42-vjecarin në stolin e Të Kuqëve është Carlo Ancelotti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat