Casillas: Gjithmonë isha në qendër të kritikave!

Sporti

Casillas: Gjithmonë isha në qendër të kritikave!

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 17:19

Portieri spanjoll, Iker Casillas, ndihet më i lehtësuar tanimë dhe tregon edhe arsyet konkrete përse është larguar nga Real Madridi. Ai për tri ndeshje në portën e Portos ka pësuar vetë një gol. Porto ka tri fitore radhazi dhe me 9 pikë prijnë në renditjen e elitës së futbollit portugez. Casillas plotë 16 vite ka qenë pjesë e Real Madridit, por tani mendon se ka bërë zgjidhjen e duhur që shkoi në Porto. 34-vjeçari është i lumtur për përvojën e re që ka filluar te Porto. “Ky ka qenë një ndryshim i vështirë, por dëshira ime ishte kjo dhe jam i lumtur me zgjedhjen që kam bërë. Te Reali situata që po përjetoja nuk ishte ajo më e mira.

Gjithmonë kam qenë në qendër të kritikave, madje edhe në momentet kur skuadra fitonte dhe sinqerisht kisha nevojë të merrja frymë. Te Porto jam i lumtur dhe diçka e tillë vihet re qartë në shprehjen e fytyrës time”, ka thënë Casillas. Portieri është përfshirë në kombëtaren e Spanjës, për dy takimet e ardhshme eliminatore kundër Sllovakisë dhe Maqedonisë. “Edhe pse sfidën në udhëtim ndaj Sllovakisë e humbëm, ne do të luftojmë me mish e me shpirt për të arritur një sukses kundër tyre që do ta na poziciononte në krye të grupit.

Edhe në Maqedoni do të shkojmë me të njëjtin objektiv fitoren, por e dimë që nuk do ta kemi aspak të thjeshtë”, tha Casillas. Spanja tash për tash është në vend të dytë me 15 pikë, tri më pak se Sllovakia dhe tri më tepër se Ukraina. Megjithatë, Casillas, shkëput edhe një mendim për Realin.

“E shikoj shumë mirë Realin. Është përforcuar shumë në afatin kalimtar, ka në përbërje shumë lojtarë interesant dhe pavarësisht barazimit me Gijon unë jam i sigurt se ata do të zhvillojnë një sezon pozitiv”, ka thënë Casillas, i cili beson se do t’i fitojnë takimet me Sllovakinë dhe Maqedoninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat