Gjilan: Kamp për klubet e basketbollit në karroca

Sporti

Gjilan: Kamp për klubet e basketbollit në karroca

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 22:34

Ka filluar sot në Gjilan, në Palestrën Sportive, kampi/trajnimi “Kosovo Wheelchair Basketball Camp 2015”, që do të zgjatë për 8 ditë, me gjithsej 44 pjesëmarrës nga 6 klubet e basketbollit në karroca që janë në Kosovë, njoftoi organizata HandiKOSS.

Në ceremoninë e hapjes, Koordinator i HandiKOS-it, Rinor Gashi, u uroi mirëseardhje të pranishëmve dhe tregoi per rëndësinë që ka sporti për personat me aftësi të kufizuar, duke shërbyer si urë lidhëse për socializim dhe krijimin e vetëbesimit të tyre, që është një prej shtyllave kryesore që shërben për pjesëmarrje të tyre në të gjitha aktivitetet sociale, kulturore dhe sportive.

Lari Peltonen, nga Ambasada e Finlandës, tha se sporti gjithmonë ka shërbyer për krijimin e lidhjeve të reja, duke mos pasur barriera se nga vjen apo nga çfarëdo arsye tjetër. Ai u shpreh shumë i kënaqur që HandiKOS organizon kampe të tilla të cilat e rrisin motivin e personave me aftësi të kufizuar për të bërë sport, përkatësisht basketboll.

Njëra prej trajnerëve, Mina Mojtahedi, shpre hu kënaqësinë e saj që do të trajnojë për 8 ditë me radhë në Kosovë, si dhe premtoi se ky nuk do të jetë kampi i fundit, por është vetëm hapi i parë drejt një bashkëpunimi që do e vazhdojë Federata Ndërkombëtare e Basketbollit në Karroca me klubet sportive në Kosovë dhe HandiKOS-in.

Gjatë ditëve të trajnimit pritet që kampit bashkëngjiten edhe përfaqësues të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thuhet në njoftim./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat