6 gjyqtarë në “garë” për Kukësi-Laçi

Sporti

6 gjyqtarë në “garë” për Kukësi-Laçi

Më: 28 maj 2015 Në ora: 23:28

Është një histori më vete ajo e trupës gjykuese që do të drejtojë finalen e Kupës së Shqipërisë. Emri i arbitrit kryesor dhe i trupës së asistentëve që do ta ndihmojnë për mbarëvajtjen e takimit është i destinuar për të mbetur enigmë deri në fund, pak minuta para se Kukësi dhe Laçi të përplasin brirët për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Tema e arbitrave ka qenë një nga çështjet më të nxehta që ka shoqëruar vigjiljen e finales së Kupës. Kukësi fillimisht kërkoi gjyqtarë të huaj, kërkesë që ra poshtë më pas. Si klubi verilindor ashtu edhe kurbinasit nuk kanë mundur të bien dakord për një emër opsion ky që ju është vënë në tavolinë nga FSHF, pasi të dy klubet vënë veton për emra të caktuar. Në këtë mënyrë Federata ka zgjedhur që përcaktimi i arbitrave të kthehet në një spektakël më vete edhe pse nuk do të jetë si çdo spektakël në mënyrë plateale i hapur për publikun.

Federata ka vendosur që deri në momentin e fundit do të tentohet një marrëveshje mes Kukësit dhe Laçit për arbitrat e finales. Nëse diçka e tillë nuk arrihet atëherë do të vendosë shorti. Në këtë mënyrë pak minuta para nisjes së Kukësi-Laçi në stadiumin Qemal Stafa do të jetë jo një por plot 5 kandidatë për rolin e gjyqtarit kryesor. Tre arbitrat që mbajnë stemën e Fifa-s, Enea Jorgji, Lorenz Jemini, Bardhyl Pashaj si dhe dy nga arbitrat më të dalluar në këtë kampionat, Kridens Meta dhe Andi Koci. Nëse Kukësi dhe Laçi nuk bien dakord atëherë do të jetë shorti që do të hidhet në dhomën e gjyqtarëve në Qemal Stafa që do të vendosë se cili prej tyre do të mbajë drejtësi. Shorti do të vendosë edhe për asistentët. Emrat e arbitrave për Kukësi- Laçi mbeten enigmë, e sigurt është vetëm se në fushë do të jenë 6 gjyqtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat