Garcia ironik: Të gjithë e duan, Lazio favorit

Sporti

Garcia ironik: Të gjithë e duan, Lazio favorit

Më: 24 maj 2015 Në ora: 20:45

Sarkazëm dhe ironi. Trajneri i Romës, Rudi Garcia e ka me të gjithë ata që ngrejnë në qiell Lazion dhe e shikojnë skuadrën e tij si humbëse, kur sezoni nuk është mbyllur ende.

“Njerëzit na shikojnë si të humbur, ndërkohë që nuk kemi zbritur akoma në fushë. Edhe unë mendoj se Lazio është favorit, për sa kohë e thonë edhe të tjerët. Njerëzit thonë se ata janë më të mirët dhe luajnë futbollin më të bukur në Itali. Nëse ndeshja është ende në plan që të luhet të Hënën, atëherë ne do të mundohemi të hedhim poshtë çdo parashikim”.

Në batutën e fundit, Garcia e kishte me ndryshimin e papritur të takimit që ishte projektuar të luhej të Dielën por që u spostua të Hënën për shkak të finales së kupës, teksa vazhdoi të fliste me tone ironike.

“Flitet sikur ata e kanë fituar këtë takim. Thonë se na duhen 12 lojtarë që ne të kemi shanse. Eshtë e vërtetë që do të përballen dy nga skuadrat më të mira dhe ndoshta takimi do të drejtohet nga arbitri më i mirë në botë. Kjo do të ishte diçka pozitive sepse takimin e fundit Lazio e fitoi me një gol të parregullt, ndërsa derdhi lot pa pushim duke u ankuar për humbjen me Interin”.

Nuk kursehet aspak francezi, që duket se ka humbur qetësinë përballë një sfide kaq delikate. Siç e tha edhe ai vetë, ky takim është më i rëndësishmi jo sepse është një derbi, por sepse në mes qëndron kualifikimi në Champions.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat