Lamtumirë Europë, Genoa hedh në tapet Interin

Sporti

Lamtumirë Europë, Genoa hedh në tapet Interin

Më: 23 maj 2015 Në ora: 23:22

Ndeshje e cmendur mes Genoas dhe Interit në Marassi. Skuadra e Gasperinit fitoi me rezultatin 3-2 në një takim që i pati të gjitha, spektaklin, golat, golat e anulluar, shtyllat dhe traversat. Një humbje e rëndë kjo për Interin që pas kësaj disfate nuk ka më asnjë shans për të luajtur në Europa League sezonin e ardshëm. U duk sikur Interi do ta kishte të thjeshtë përballë Genoas kur Icardi kaloi formacionin e Roberto Mancinit në avantazh në minutën e 19-të. Por pas vetëm 5 minutash erdhi barazimi i vendasve me Pavolettin që realizoi një gol shumë të bukur. Në të 30-tën Palacio kaloi sërish përpara Interin pas asistit të Icardit, ndërkohë që në harkun e 10 sekondave Mauritos iu anulluan 2 gola për pozicione të dyshimta jashtë loje në minutën e 38-të. Në të 41-tën Ranocchia dhe Handanovic katranosën gjithcka duke i dhënë mundësinë belgut Lestienne të shënonte golin e barazimit 2-2. Në pjesën e dytë fati nuk ishte me Interin kur Hernanes goditi shtyllën dhe në vazhdimin e aksionit Brozovic e stampoi topin në traversë. Për ti dhënë fitoren Genoas dhe për të hedhur “KO” Interin mendoi Juraj Kucka që në minutën e 89-të me një goditje të saktë me kokë realizoi golin e fitores 3-2 për skuadrën vendase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat