Për çfarë ka nevojë Skënderbeu?

Sporti

Për çfarë ka nevojë Skënderbeu?

Më: 22 maj 2015 Në ora: 10:22

Sezoni i parë me skuadrën e vendlindjes dhe titull kampion. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte për Kristi Vangjelin.
Numri 32 i Skënderbeut nga Korça është i kënaqur pas debutimit me skuadrën e zemrës.

Ju keni luajtur gjithnjë jashtë Shqipërisë, si do ta përkufizonit vitin tuaj të parë në kampionatin shqiptar?
Nuk ka qenë e vështirë përshtatja, sepse vija në ekipin e zemrës dhe me dëshirë shumë të madhe. Është një eksperiencë pozitive për mua dhe këtë e kam treguar edhe në fushë, pavarësisht se ka plot që thonë se ka qenë një hap mbrapa që unë zgjodha të luaja në kampionatin shqiptar. Unë nuk e mendoj kështu”, tha Vangjeli për Panorama Sport.
Po thoni se keni bërë një hap para…?

Po, sepse e kam parë që në fillim si një objektiv për një hap të madh, pasi Skënderbeu ka fituar shumë emër edhe jashtë Shqipërisë, madje edhe në Champions, pasi edhe një edicion më parë, e patë sesi u eliminua. Unë isha i bindur që në fillim që nuk do të ishte hap pas, pavarësisht se shumë e mendojnë këtë gjë. Niveli i Skënderbeut mund të krahasohet pa frikë me atë të ekipeve në Greqi, pa hequr këtu edhe tri skuadrat e kreut.
Do të luani sërish në Champions, çfarë prisni?

Shpresojmë fillimisht të mos kemi dëmtime gjatë verës. Do të mundohemi të tregojmë vlerat e ekipit dhe me dy-tre lojtarë cilësorë i kemi shanset reale për të futur në fazën e grupeve.

Për çfarë ka nevojë Skënderbeu?

Normalisht, presidenti e di që duhet të afrohen edhe disa lojtarë për t’u bashkuar me grupin, që realisht është i fortë. Natyrisht, unë nuk mund të them se kush do të afrohet apo kush do të largohet. Por, e rëndësishme është që lojtarët që do të afrohen të jenë pranë ekipit që në fazën përgatitore, që të mos përsëritet e njëjta situatë si këtë sezon, që sulmuesit i morëm momentin e fundit dhe kjo ndikoi direkt në ndeshjen ndaj BATE-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat