Torino fiton derbin ndaj Juventus, mes dhunës së tifozëve

Sporti

Torino fiton derbin ndaj Juventus, mes dhunës së tifozëve

Më: 26 prill 2015 Në ora: 21:09

Duhej të ishte një derbi i spektaklit si brenda edhe jashtë fushe, por incidentet mes dy tifozerive eklipsuan takimin mes Torinos e Juventusit, ku të zotët e shtëpisë pavarësisht atmosferës së tensionuar arritën të triumfojnë në shifrat 2-1. Pa filluar ende takimi, përplasja e parë mes dy tifozerive u shënua me sulmin ndaj autobusit të Juventusit dhe vazhdoi edhe më pas, aq sa u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Një ditë vërtetë e zezë në Torino, me bilancin 10 të plagosur, njëri në gjendje të rëndë. Të tjera përplasje pati edhe brenda në stadium, megjithatë takimi në fushë vijoi normalisht me raste e aksione të shpejta nga të dyja krahët. Për zhbllokimin e derbit duhet të kalonin 35 minuta me Pirlon që me perfeksion e transformoi në gol një goditje të lirë shumë pranë zonës së Padellit. Edhe pse në disavantazh, Torino nuk e humbi qetësinë, përkundrazi vazhdoi të kërkonte me insistim golin e barazimit dhe e gjeti atë me anë të Darmian në limitet e pjesës së parë. Në të dytën vendasit duken më kërkues dhe protagonist ishte sërish Darmian që shërbeu për Quagliarellan, i cili doli fitimtar në duelin me Buffon. Asgjë nuk ndryshon në vazhdim, edhe pse skuadra e Allegrit nuk pajtohet me këtë rezultat dhe tenton me forcë të realizojë përmbysjen.

Ndërkohë Lazio çoi dëm një mundësi të mirë për t’u shkëputur edhe më shumë nga Roma, falë edhe disfatës së verdhekuqve një ditë më parë me Interin. Në barazimin 1-1 me Chievon, bardhekaltërit kaluan të parët në avantazh falë një supergoli të Kloses, që e bëri të shpërthejë në eufori Olimpicon, por gjermani i vetëm nuk mjafton për suksesin e të tijve. Në të dytën Paloschi rikthen ekuilibrin në kryeqytet me Lazion që tashmë gjendet vetëm një pikë para rivalëve romanë.

Një tjetër derbi u luajt këtë javë në Serinë A, ishte derbi i dy shqiptarëve Andi Lila e Samir Ujkani, me të parin që e nisi nga stoli takimin për Parmën e tjetrin titullar në portën e Palermos. Mesfushori i kombëtares shqiptare zbriti në fushë në pjesën e dytë në “Ennio Tardini”, ku ra në sy edhe prania e tifozëve shqiptarë. Përsa i përket rezultatit, emilianët arritën një fitore minimale falë golit të vetëm nga Nocerino, që shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Në takimet e tjera, Atalanta dhe Empoli ndanë nga një pikë me barazimin 2-2 mes tyre, Genoa kaloi 3-1 Cesenën, duke iu afruar kështu zonës europiane, ndërsa Verona triumfoi 3-2 me Sassuolon, edhe pse pjesën më të madhe të lojës e zhvilloi me një lojtar më pak pas daljes së Rafael me të kuq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat