Salihi: Shpresat janë të mëdha për kualifikim

Sporti

Salihi: Shpresat janë të mëdha për kualifikim

Më: 30 mars 2015 Në ora: 10:16

Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Hamdi Salihi, mendon se ishte fitore tejet e rëndësishme dhe që bën një hap të madh drejt Euro 2016. Futbollisti tha se llogaritë dolën ashtu si i parashikuan edhe është tejet i gëzuar për trepikëshin e vlefshëm. Shqipëria tani klasifikohet në vend të tretë me 7 pikë, dy më pak se Portugalia që udhëheq kreun në grupin I.

“Morëm një fitore shumë të rëndësishme për vetë pozicionin që kishim në tabelë. Por, ajo që e bën më të veçantë këtë sukses ishte fakti se u gjetëm në disavantazh dhe arritëm ta përmbysnim. Ekipi tregoi karakter dhe besim të madh. Në disa momente edhe rrezikuam, pasi në ndihmë të sulmit erdhën edhe mbrojtësit e qendrës. Gjithsesi, llogaritë na dolën siç i kishim parashikuar. Nuk e kishim nënvlerësuar Armeninë. Trajneri e nisi ndeshjen me atë skemë, pasi dëshironte të kishte nën kontroll lojën. Të jeni të bindur se çdo sfidë ka një përkujdesje maksimale nga ana jonë, duke u munduar të studiojmë kundërshtarin”, tha Salihi.

Sipas tij, gjasat janë të mëdha për kualifikim. “Vetëm ata që nuk kanë shumë eksperiencë nga futbolli flasin se ne kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt kualifikimit. Na kanë mbetur po aq ndeshje sa kemi luajtur deri tani. Pa diskutim që kemi shpresa të mëdha, por ka ende shumë për të bërë”, tha Salihi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat