NBA, Cleveland bën 9 fitore radhazi

Sporti

NBA, Cleveland bën 9 fitore radhazi

Më: 31 janar 2015 Në ora: 17:32

Ai që udhëhoqi Clevelandin ishte Kevin Love i cili koleksionoi në total 23 pikë, 10 rebound dhe 3 asist ndërsa Kyrie Irving shtoi edhe 21 pikë..

Vazhdon momenti i mirë i formës për Cleveland Cavaliers në Nba. Skuadra nga Ohio siguroi suksesin e 9-t radhazi pasi arriti të mposhte me shifrat 101-90 Sacramento Kings duke u shkaktuar këtyre të fundit disfatën e 8-të rresht. Lebron James u rikthye në parket pas një ndeshjeje mungesë, megjithatë nuk rezultoi 30-vjecari nga Akron lojtari më i mirë për Cavaliers në këtë takim pasi mbreti James e mbylli sfidën me 19 pikë dhe 7 asist. Ai që udhëhoqi Clevelandin ishte Kevin Love i cili koleksionoi në total 23 pikë, 10 rebound dhe 3 asist ndërsa Kyrie Irving shtoi edhe 21 pikë të tjera në suksesin e Cavaliers ndaj Sacramentos. Takimi i Quicken Loans Arena nisi nën shenjën e Lebron James i cili pasi i vodhi topin një kundërshtari realizoi një kosh shumë të bukur me zhytje në sekondat e para. Qëndra Tomofei Mozgov e zgjeroi edhe më tej avantazhin e Clevelandit me një realizim të tijin. Por me kalimin e minutave skenën e mori të gjithën Kevin Love. Ish lojtari i Minesottas realizoi 16 nga 23 pikët e tij gjithsej vetëm në periodën e parë, duke bërë që ky fraksion loje të mbyllej me shifrat 30-20 në favor të skuadrës vendase. Në 12-minutëshin e dytë Rudy Gay që shënoi në total 20 pikë me paraqitjen e tij u përpoq të mbante Sacramenton në ndeshje.

Por pavarsisht përpjekjeve të Rudy Gay-it si dhe DaMarcus Cousins që rezultoi lojtari më i mirë për Kingsat me 21 pikë, 13 rebound dhe 4 asist, skuadra e drejtuar nga trajneri Tyrone Corbin nuk arriti të bënte më asgjë në këtë sfidë dhe i gjithë takim u mbyll me fitoren e Cavaliers në shifrat 101-90. Me këtë sukses formacioni i David Blatt e sheh veten në vendin e 5-të të konferencës së lindjes në kuotën e 28 fitoreve dhe 20 humbjeve. Në sfidat e tjera të Nba spikat suksesi i radhës për Atlanta Hawks. Ekipi nga Georgia falë lojës së shkëlqyer në grup ku edhe në takim plot 6 lojtarë shënuan një kuotë pikësh me dy shifra arriti të koleksiononte fitoren e 18-të radhazi pasi mposhti në Philips Arena me rezultatin 105-99, Portland Trail Blazzers. Stephen Curry realizoi 32 pikë por kjo nuk i mjaftoi Golden State Warriors për të evituar disfatën e 8-të sezonale, pasi në Salt Lake City, Utah Jazz fitoi përballë formacionit nga Oakland 110-100. Falë një paraqitjeje fantastike të lituanezit Motiejunas që shënoi në total 26 pikë, Houston Rockets theu Boston Celtics me shifrat 93-87.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat