Dortmundi "ngel" në klasë për vitin 2014

Sporti

Dortmundi "ngel" në klasë për vitin 2014

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 20:01

Disfata e fundit shënon me siguri pikën më të ulët të karrierës së Jurgen Klopp te Dortmundi.

Nuk ka dritë në fund të tunelit. në javën e 17 të Bundesligës, Borusia e Dortmundit u rrëzua sërish dhe tashmë gjendet në vendin e parafundit të klasifikimit. Verdhezinjtë u mundën 2-1 në shtëpinë e Werder Bremen, skuadrës që para kësaj ndeshje ishte në fundin e tabelës. Ishte kjo disfata e dhjetë në Bundesliga për Borusian që kurrë më parë me Jurgen Klopp në drejtim nuk i kishte humbur kaq ndeshje gjatë një kampionati të tërë, e jo më vetëm në fazën e parë të tij.

Sic ka ndodhur shumë herë të tjera këtë sezon, pa nisur mirë ndeshja Dortmundi u gjend në disavantazh që në minutën e 3-të shënoi Davie Stelkie, sulmuesi 19 vjecar me origjinë etiopiane. Kurrë gjatë këtij kampionati Dortmundi nuk ja ka dalë të përmbysë disavantazhin 1-0 duke u shfaqur një skuadër e ndrojtur dhe pa forcë reagimi dhe kështu ndodhi edhe ndaj Werder Bremen që madje gjeti golin e 2-0 me Bartels në minutën e 62.

Vetëm më pas Borusia provoi të reagonte, pasi në atë pikë nuk kishte se cfarë të humbsite. Në minutën e 69 shkurtoi distancat Hummels i cili nuk shënonte që nga cerekfinalja e botërorit kundër Francës dhe paradoksalisht ishte kjo shkëndija e fundit e Borusias që e kërkoi më pas barazimin me shumë konfuzion, madje rrezikoi të pësonte edhe golin e 3-1 me Fin Bartels që goditi shtyllën në minutën e 89-të. Disfata e fundit shënon me siguri pikën më të ulët të karrierës së Jurgen Klopp te Doprtmundi. Në pauzën dimërore me Borusian që do të rikthehet në fushë në fund të janarit, trajnerit i duhet patjetër që të ndryshojë dicka. Nëse këtë të dielë Frajburgu fiton kundër Hanoverit, do ta linte Dortmundin të vetëm në fund të klasifikimit, dhe padyshim që ai nuk është një vend i bukur për të kaluar krishtlindjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat