Euroleague, Reali mundet pas 21 takimesh në shtëpi

Sporti

Euroleague, Reali mundet pas 21 takimesh në shtëpi

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 19:45

Skuadra spanjolle regjistroi humbjen e parë pas 21 fitoreve rresht në shtëpi për Euroleague pasi u mund 85-75 nga rusët e Unics Kazan.

Reali i Madridit në basketbollin e meshkujve ndalet pas një ecurie të çmendur. Skuadra spanjolle regjistroi humbjen e parë pas 21 fitoreve rresht në shtëpi për Euroleague pasi u mund 85-75 nga rusët e Unics Kazan, të cilët u dërguan një mesazh gjithë rivalëve për trofeun më prestigjoz të koshit europian. Më i miri për skuadrën mike ishte D'or Fischer, i cili shënoi 25 pikë dhe 8 ribaunde, ndërsa Curtis Jerrells shtoi 23 pikë të tjera për të fiksuar një rezultat historik për skuadrën ruse.

Në Grupin D, Crvena Zvezda siguroi një sukses me peshë pasi kaloi në Beograd 79-62 rivalët e Neptunas Klaipeda duke u ngjitur në kuotën e 4 fitoreve. Bojan Marjanovic mori për dore skuadrën e tij, duke realizuar 24 pikë, ndërsa Deividas Gailius nuk arriti ta shpëtonte skuadrën lituaneze nga kjo humbje pavarësisht paraqitjes së mirë që tregoi në parketin e Beogradit. Në Stamboll, Fenerbahce Ulker kryesoi gjatë 4 përiodave ndeshjen kundër Turow Zgorzelec, duke e mbyllur sfidën pa shumë vështirësi me rezultatin 89-74. Kjo fitore forcon pozitat e skuadrës turke në Grupin C, ndërsa Turow regjistroi humbjen e gjashtë duke u zhytur në fundin e klasifikimit.

Nuk ka hap fals në Moskë ku CSKA dhuroi një tjetër ndeshje spektakolare ndaj Maccabi Electra Tel Aviv. Miqtë nga Izraeli nuk arritën të impononin ritmin e tyre duke humbur 61-84. Kampionët reflektuan në rezultat formën e dobët të dyshes Landsberg-Haynes, ndërsa për skuadrën moskovite shënuesi më i mirë ishte Sonny Ëeems i cili e mbylli takimin me 19 pikë. Një fitore historike regjistroi edhe Laboral Kutxa Vitoria që shkatërroi skuadrën e Olympiacosit 89-70 duke i shkaktuar edhe disfatën e parë sezonale por pa dëme të mëdha në klasifikim pasi ekipi nga Pireu mbetet në vendin e parë të Grupit D.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat