Rivaliteti në mes ‘mbretërve’ edhe në Champions

Sporti

Rivaliteti në mes ‘mbretërve’ edhe në Champions

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 15:51

Dy gola nga Cristiano Ronaldo ndaj Eibar, 3 gola nga Lionel Messi ndaj Sevillës. Ishte ky akti i fundit i rivalitetit spektakolar mes dy më të mirëve të botës në futboll. Ndaj Eibar, Ronaldo arriti kuotën e 20 finalizimeve në 11 ndeshje të luajtura në La Liga, një rendiment vërtet fantastik, por për të sfumuar arritjen e jashtëzakonshme të yllit të Realit, mendoi argjentinasi i Barcelonës me një arritje akoma më të jashtëzakonshme. Messi eklipsoi Ronaldon me tre golat e tij dhe thyerjen e rekordit 60-vjeçar të Thelmo Zarras duke u kthyer në goleadorin më të mirë në historinë e La Ligas. Këtë mesjavë rivaliteti mes tyre prezantohet po kaq i fortë për një tjetër rekord fantastik. I motivuar në maksimum pasi u ngjit në fronin e goleadorëve të La Ligas, Leo Messi ka në dispozicion sonte “match ballin” e tij të parë për të kaluar një tjetër rekord historik në Champions League. Në takimin e fundit kundër Ajaxit Messi barazoi Raul Gonzales si kryegolashënues i kompeticionit madhor, duke arritur në 71 finalizime, dhe sot mund të marrë i vetëm edhe skeptrin e Championsit nëse shënon kundër Apoel Nicosias. Interesant është fakti se Messi nuk ka shënuar asnjëherë në tokën qipriote, dhe natyrisht që lutet që diçka e tillë të mos ndodhë rivali i tij i madh Cristiano Ronaldo. Portugezi kërkon ta mposhtë në sprintin final për këtë rekord të rëndësishëm pasi vetë është në kuotën e 70 finalizimeve në Champions, dhe i duhen dy gola për të thyer rekordin e legjendës Blanco Raul. Ronaldo apo Messi? E sigurt është se dueli do të jetë sërish spektakolar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat