Zvicra më pranë titullit të Davis Cup

Sporti

Zvicra më pranë titullit të Davis Cup

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 00:16

Ekipi helvet siguroi pikën e dytë në finalen e madhe të edicionit të 103 të këtij kompeticioni falë dyshes Roger Federer – Stan Wawrinka.

Zvicra është shumë pranë titullit të parë në Kupën Davis. Ekipi helvet siguroi pikën e dytë në finalen e madhe të edicionit të 103 të këtij kompeticioni falë dyshes Roger Federer – Stan Wawrinka. Kapiteni i përfaqësueses zvicerane shfrytëzoi në maksimum rregulloren duke bërë një ndryshim në castet e fundit për të rreshtuar në fushë dyshen e famshme që së bashku ka fituar edhe medaljen e artë 6 vjet më parë, në Olimpiadën e Pekinit, kur triumfoi ndaj ciftit suedez Thomas Johansson – Simon Aspelin. Rregullorja lejon që formacioni në lojën dyshe të ndryshohet deri gjysmë ore përpara fillimit të takimit dhe Severin Luthi hoqi dorë nga dyshja modeste Chiudinelli – Lammer për ta zëvendësuar me dy tenistët më të mirë, që në fakt ishte edhe zgjedhja e duhur pasi bëhet fjalë për dy emra që bëjnë pjesë në katër tenistët më të mirë të botës. Në krahun tjetër kapiteni i Francës Arnaud Clement kërkonte titullin e 10 për vendin e tij dhe preferoi të mbështetet te binomi i shpallur që më parë Julien Benneteau – Richard Gasquet sidoqoftë nëse veterani u përpoq në maksimum për të justifikuar besimin 28-vjecari zhgënjeu pa masë, në një takim që me shumë gjasa do të jetë përcaktues për fatin e kësaj finaleje.

Në setin e parë në stadiumin e Lillës dyshja zvicerane humbi vetëm pesë pikë në shërbim duke thyer tenistët vendas në gamen e gjashtë në servis. Në setin pasardhës pasi dështuan për të konvertuar 5 mundësitë që patën për t’iu rrëmbyer shërbimin kundërshtarëve fituesit e medaljes së bronztë në Olimpiadën e Londrës u thyen vetë në servis në gamen e 11 falë një goditjeje fituese të numrit 2 të botës në backhand, ndërsa më pas ishte vetë Federer që shërbeu me sukses për të fituar edhe setin e dytë. Përpara 27.000 spektatorëve në dheun e ngjeshur të stadiumit të mbuluar të Lilles dyshja helvete u mjaftua me një game me break në lojën e pestë të setit të tretë për të fituar gjithë takimin me rezultatin 6-3, 7-5, 6-4 në 2h 12’ gjithsej. Dyshja Federer – Wawrinka në fakt kishte humbur katër ndeshjet e fundit në “doubles” në Kupën Davis megjithatë binomi zviceran humbi vetëm 19/87 pikët në shërbim duke regjistruar në fund plot 67 goditje fituese, e për më tepër numri 2 dhe numri 4 i botës në bashkëpunim fituan 40 nga 53 daljet e tyre në rrjetë.

Ditën e premte Wawrinka fitoi me Jo-Wilfried Tsongan ndërsa Federer u mund keqas nga Gael Monfils, gjithsesi në lojën dyshe Roger Federer konfirmoi se tashmë e ka kaluar më së miri dëmtimin në shpinë, që e privoi në Londër nga finalja e tetë tenistëve më të mirë të vitit pikërisht përballë numrit 1 të botës Novak Djokovic. Ky sukses është i pari në karrierë për dyshen Federer – Wawrinka në Kupën Davis në fushat me dhe e Zvicrës tashmë i mjafton thjesht një fitore në përballjet e ditës së dielë Federer – Tsonga dhe Wawrinka – Monfils, triumf që mund të sigurohet që në takimin hapës pasi Roger kryeson 11-5 ndaj numrit 12 të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat