Barcelona shkatërron Sevillan, Messi në histori

Sporti

Barcelona shkatërron Sevillan, Messi në histori

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 22:24

I pabesueshëm, fantastik, gjenial, thjesht i paarritshëm. Lionel Messi është zyrtarisht në majën e Olimpit të futbollit spanjoll.

Në histori ka hyrë prej kohësh, por në mbrëmjen e së shtunës, ylli argjentinas shkruajti një tjetër faqe të ndritur historisë duke u kthyer në goleadorin historik të La Ligas. Me 3 golat e tij ndaj Sevillas, Messi theu një nga rekordet më të rëndësishme të jetës së tij, atë të Thelmo Zarras që deri këtë të shtunë mbante fronin e golashënuesit të të gjithë kohërave. Tashmë Zarra ka zbritur që aty, pasi në fron është ngjitur Messi, 251 gola të shënuar nga Zarra, 253 gola të shënuar nga Messi që jo vetëm i dha fund mbretërimit thuajse 60 vjecar të ish sulmuesit të Athletic Bilbaos me golin e tij të 252, por shënoi edhe të 253 si për t’ju thënë të gjithëve se ky rekord i tij që do të vazhdojë të pasurohet është i destinuar për të mbetur akoma dhe më gjatë i pathyer.

3 gola historikë për Messin që marrin më tepër vlerë edhe për faktin se sjellin gëzimin në një Barcelonë që dukej se po përfshihej nga kaosi, të paktën mediatikisht për shkak të deklaratave të argjentinasit që kishte lënë të hapur mundësinë e largimit, por dhe cështjes Pique, dy cështje që nuk ekzistojnë më, pasi Pique u kthye në fushë si titullar, ndërsa Messi hapi goleadën me finalizmin e avantazhit në minutën e 21-të, falë një goditje dënimi. Ishte goli që barazonte rekordin e Zarras. Në kthimin nga dhomat e zhveshjes Barcelona u befasua me Jordi Albën që shënoi një autogol sapo filloi pjesa e dytë, kur në krosimin e Vitolos me devijimin e tij mashtroi Claudio Bravon, por entuziazmi i andaluzëve nuk zgjati shumë pasi menjëherë më pas Barcelona u kthye në avantazh me Neymar që në goditjen e këndit të Xavit preku topin me kokë sa për ta dërguar drejt rrjetës.

Në minutën e 65-të edhe goditja klasike e ishit, me Rakitic që shënoi me kokë dhe nuk festoi në respekt të ish skuadrës së tij, ndërsa historia u shkruajt në minutën e 72-të, aksion i prerë për rekordin e Messit i gatuar nga këmbët e tij dhe inteligjenca e tij, me kombinimin me Neymar që nuk mund të kishte konkluzion tjetër vec një gol historik të 252 për Messin që me këtë finalizim theu rekordin e Thelmo Zarrës. Kaq do të mjaftonte për një mbrëmje fantastike, por si për të konfirmuar se është nga ata që nuk ngopen kurrë Messi shënoi dhe golin e tij të 253 në kampionatin spanjoll, për të kompletuar tregolëshin e tij të 20 dhe marrë me vete si një kujtim të cmuar topin e ndeshjes që e ngjit në majën e Olimpit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat