Transferta me tifozë, forca e Tiranës

Sporti

Transferta me tifozë, forca e Tiranës

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 23:41

Të luajturit jashtë Tiranës me tifozërinë në krah po kthehet në një forcë më të madhe për ekipin.

Kur Komisioni i Disiplinës vendosi që Tirana të luante 15 ndeshje me dyer të mbyllura të gjithë menduan se bardheblutë nuk do të ishin më protagonist. Kjo skuadër e ka shumë të rëndësishme raportin me tifozërinë dhe kjo marëdhënie ndikon direkt në fushën e lojës. Por mesa duket një pikë e vendit disiplinor u shndërrua në një forcë për Tiranën. Komisioni vendosi që grupi fanatics të mos shfaqet në stadium deri në fund të sezonit, por njëherazi e lejoi tifozërinë të udhëtonte nëpër transfertë duke mbyllur dyert vetëm në kryeqytet. Piëkrisht këtu rinisi dhe lidhja shpirtërore e skuadrës me tifozët. Bardheblutë nuk kanë vendosur asnjëherë banerin fanatics nëpër stadium por ata kanë qënë të shumtë sidomos në tre transfertat e fundit. Tifozët e Tiranës zgjodhën të ishin 200 vetë në Korcë dhe me këmisha dhe me kollare kërkonin të ironizonin për atë që ndodhi në zyrat juridike të Fshf-së. Të njëjtat tifozë ishin 1500 në Durrës duke pushtuar praktikisht stadiumin dhe duke ndihmuar skuadrën të fitonte 1-0. Tirana fitoi gjithashtu këtë mesjavë 3-0 në Fier dhe prania e 500 tifozëve ishte thelbësore për krijimin e klimës së duhur dhe mbështetjes.

Ndokush mendoi se duke luajtur tre ndeshje rresht në transfertë Tirana do e kish të vështirë të mbante ritmin e rezultateve por mesa duket të luajturit jashtë Tiranës me tifozërinë në krah po kthehet në një forcë më të madhe për ekipin. Skuadra e Maganit do të luajë sërish jashtë kryeqytetit në fundjavë teksa do të udhëtojë të dielën në Vlorë dhe tifozët kanë premtuar që këtë rradhë do të jenë rreth 800 të tillë në stadiumin Flamurtari.

Tirana duhet të luajë 8 ndeshje pa tifozë – përfshi dhe ndonjë ndeshje kupe – për tu rikthyer me dyer të hapura në “Qemal Stafa” e për ta konvertuar më pas gjysmën e dënimit për 7 ndeshjet e mbetura. Praktikisht dhe në këtë fazë tifozët nuk do të lejohen brenda fushës, por në fazën e dytë Tirana luan më së shumti në transfertë. Ironike sa të duash, por tifozët e Tiranës do të jenë të pranishëm dhe në derbin me Partizanin pasi në atë sfidë të kuqtë janë skuadra pritëse. Ndonjëherë është më mirë të luash vetëm në transfertë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat