Skënderbeu kalon Elbasanin, shënon Olayinka

Sporti

Skënderbeu kalon Elbasanin, shënon Olayinka

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 23:11

Përfundoi 1-0 dhe për Skënderbeun është ok edhe kështu, pasi më të rëndësishme për momentin janë 3 pikët.

Peter Olaynika është njeriu i maskuar, por nuk është më objekt misterioz te Skënderbeu. Pas zhbllokimit ndaj Vllaznisë, nigeriani shënoi një tjetër gol për skuadrën korçare, këtë herë me më shumë peshë, pasi ishte finalizimi i tij që vendosi fatin e ndeshjes me Elbasanin, nuk është ndonjë finalizim për të lënë me gojë hapur por vendimtar për kampionët, pasi u jep 3 pikë thelbësore në një ndeshje që nuk rezultoi aq e thjeshtë nga sa pritej në prognozë.

Përballë Elbasanit bisht- karvanit të Superiore, Mirel Josa kishte vendosur në majën e sulmit pikërisht 18 vjeçarin afrikan të mbështetur nga Ribaj, Martins e Dimo në ¾, duke lënë në stol Fatjon Sefën. Në kampin verdheblu, Dosti përgjigjej me një formacion të rreshtuar kujdesshëm me Cotën sulmues të vetëm, dhe përballë mbrojtjes së mirëorganizuar kampionët hasën që në fillim vështirësi për të prezantuar dikë përpara Kotorrit, me goditjen e parë në portë që erdhi në minutën e 11 me Sabien Lilajn që tentoi nga distanca. Me një Elbasan të vendosur për të kufizuar dëmet pa guxuar përpara vijoi një ndeshje pa shumë shkëndija me Skenderbeun që vuante për të krijuar pavarësisht dominimit territorial. Në minutën e 29 Olyainka i vodhi një top prapavijës verdheblu dhe tentoi me një goditje dherazi nga distanca me topin që kaloi shtyllën në të djathtë të Kotorrit. Të pasuksesshme dhe tentativat e korçarëve për të furnizuar asistin e golit falë inkursioneve në krahun e majtë me Dimon e Arapin dhe Josa vendosi të bëjë ndryshimin e parë pas vetëm 34 minutave lojë duke futur në lojë një tjetër sulmues, Fatjon Sefën në vend të Martins. Gjithsesi ishte një ndryshim që nuk ndryshoi shumë me Olyaniknën që pretendoi pa dobi për një 11 metërsh pas kontaktit me Denis Voglin në minutën e 37 dhe Skënderbeun që u detyrua të kufizohet sërish te goditjet nga distanca si në këtë rast të minutës së 41 me Marko Radas dhe pjesa e parë u mbyll pa gola e me një Skënderbe që nuk ngrohu, ashtu si shkallët e ftohta të stadiumit të Korçës.

Gjithsesi pjesa e dytë ishte ajo që ndërtoi fitoren e korçarëve me momentin vendimtar në minutën e 50, Ribaj përparoi nga e djathta duke u futur në zonë dhe shërbeu te Olaynika që pranë vijës fatale thjesht e shtyu në rrjetë. 1-0 një rezultat që i dhuroi qetësi Skënderbeut, të vendosur për të menaxhuar dhe pragmatika e korçarëve e kombinuar me mungesën e reagimit nga ana e Elbasanit fitoi ndaj emocioneve duke dhuruar një ndeshje pa raste, aq sa traversa e Ribajt në minutën e 88 shërbeu më tepër si një zile për zgjimin nga letargjia e mërzisë. Përfundoi 1-0 dhe për Skënderbeun është ok edhe kështu, pasi më të rëndësishme për momentin janë 3 pikët, aq sa ç’është gjithë pasuria e grumbulluar nga Elbasani në këtë sezon të vështirë për verdheblutë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat