FSHF-UEFA-s: Flamuri erdhi nga serbët, apelojmë nëse na dënoni

Sporti

FSHF-UEFA-s: Flamuri erdhi nga serbët, apelojmë nëse na dënoni

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 08:33

Federata Shqiptare e Futbollit i kërkoi UEFA-s që të tërheqë dy akuzat e ngritura ndaj kombëtares shqiptare, konkretisht për mosvazhdimin e ndeshjes pas incidenteve në fushë, dhe atë të ngritjes së flamurit të Shqipërisë së Madhe mbi stadiumin e Beogradit. FSHF u shpreh e bindur se kombëtarja shqiptare duhet të marrë fitoren 3-0 në tavolinë, ndërsa i kërkoi UEFAs që të zgjerojë hetimin për Serbinë dhe të bëjë pjesë dhunën që tifozët serbë ushtruan në mes të fushës së blertë ndaj lojtarëve kuqezinj, madje pa u penguar nga policia. Në rast se merret një vendim kundër Shqipërisë, atëherë FSHF-ja deklaroi se do ta apelonte atë pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit. Sipas materialit të mbrojtjes, fubollistët e Shqipërisë ishin viktimë e dhunës fizike dhe verbale e shoqëruar me thirrje raciste. Siç rezulton edhe prej raportit të Delegatit të Sigurisë të UEFAs janë evidentuar shkelje të rënda si:

1. Mungesa e sigurisë së nevojshme të fushës së lojës,

2. Sjellja shumë e keqe e tifozëve,

3. Menaxhimi i dobët i stadiumit dhe

4. Gjendja e tij e keqe deri në konstatimin e faktit të rëndë që policia “nuk mund të mbrojë lojtarët dhe arbitrat”.

5. Si pasojë e sa më sipër rezulton qartësisht që nuk janë siguruar kushtet e barabarta për vazhdimin e ndeshjes së futbollit. Në mbështetje të neneve 21(1), 6(1) g) dhe 21 (4) a) të Rregullores së disiplinës, jo vetëm që shkelja për të cilën është akuzuar FSHF duhet të rrëzohet, por FSHF ka kërkuar edhe fitoren 3-0 në tavolinë.

Përsa i përket akuzës së banerit të paligjshëm që u shfaq mbi fushën e lojës, ajo duhet rrëzuar, ndër të tjera, për arsyet e mëposhtme:

1. Në stadium nuk ka pasur tifozë të Shqipërisë përveç futbollistëve dhe delegacionit;

2. Si futbollistët ashtu edhe delagacioni janë kontrolluar nga policia pas ndeshjes dhe nuk është gjetur asnjë objekt për pilotimin e helikopterit;

3. Baneri ka ardhur nga zona jugore prapa portës, zonë e cila ka qenë me tifozë serbë të cilët nuk kanë qenë të kontrolluar nga policia meqenëse kanë mundur të fusin në stadium flamuj politikë, sende të forta si dhe një fuçi.

4. Për të gjitha këto arsye është e pamundur të përcaktohet autori i incidentit dhe fakti që ky i fundit është Shqiptar (territori i hartës në baner është më i gjerë se territori i Republikës së Shqipërisë). Si përfundim FSHF informon që vendimi i marrë nga UEFA mund të jetë objekt i apelimit pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat