Kosova pranohet në Komitetin Olimpik, vajtojnë serbët!

Sporti

Kosova pranohet në Komitetin Olimpik, vajtojnë serbët!

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 20:03

Ndodh që një lajm i mirë të vijë edhe nga Serbia. Kosova brenda kësaj jave do të bëhet një anëtare me të drejta të plota e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. E përditëshmja serbe Kurir në versionin e saj online, bën të ditur se burime të saj të brendshme pranë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar i kanë bërë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate që do të mbahet këtë të enjte. Kosova do të pranohet si anëtare e IOC, madje duke cituar fjalë për fjalë Kurir, “kjo është tanimë një punë e kryer”.

Natyrisht në këtë lajm të gëzueshëm për gjithë shqiptarët nuk mund të mungonte dhe garniture e zakonshme serbe me gazetën në fjalë që e konsideron këtë lajm si një vazhdim të provokimeve që u intensifikuan javën e kaluar pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, ndërsa shpreh dhe qëndrimin e saj duke theksuar se Kosova do të shfrytëzojë mbledhjen e ardhshme të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, për tu pranuar si një anëtare me të drejta të plota e këtij organizimi të rëndësishëm kundër të gjitha rregullave. Kurir gjithashtu shton se pranimi i Republikës së Kosovës si anëtare e IOC ka qenë një temë konstante në takimet e kësaj organizate prej katër vitesh. Gjithashtu Kurir nuk harron të kujtojë se deri më tani përpjekjet e fuqishme të Komitetit Olimpik Serb kanë parandaluar që dicka e tillë të ndodhë deri më tani, por këtë të enjte dicka e tillë nuk do të funksionojë pasi të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar kanë rënë dakord për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate, e cila është një prej organizmave më të fuqishëm ndërkombëtare në botën e sportit.

Nëse lajmi i Kurir rezulton i vërtetë atëherë Kosova do të mund të marrë pjesë me ekipin e saj në vitin 2016 në manifestimin më të madh sportive botëror Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Rio de Janeiro, e madje të ketë shanse të mëdha për të fituar medaljen e saj të parë të artë, duke qenë se xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi që deri më tani nuk ka mundur të garojë në kompeticionet ndërkombëtare me flamurin e Kosovës, është për momentin sportistja më e mirë në këtë disiplinë në kategorinë 52 kilogram ku mban si titullin Botëror ashtu edhe atë të Europës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat