Pas 6 vjetësh, kryeqyteti në krye të Superiores

Sporti

Pas 6 vjetësh, kryeqyteti në krye të Superiores

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 22:56

Pas më shumë se 6 viteve dy skuadra nga metropoli udhëheqin kampionatin shqiptar me pikë të barabarta.

Java 8 e Kategorisë Superiore flet me gjuhën e kryeqytetit. Pas më shumë se 6 viteve dy skuadra nga metropoli udhëheqin kampionatin shqiptar me pikë të barabarta. Tirana dhe Partizani pas fitoreve respektive ndaj Kukësit dhe Vllaznisë ndajnë kreun për efekt golavarazhi. Dicka e tillë nuk ndodhte që nga maji i vitit 2008, kur të kuqtë ishin në krye së bashku me Dinamon. 24 herë kampionët triumfuan ndaj një rivali direkt, nënkampionëve të sezonit të kaluar dhe kryesuesve të kampionatit në javën e 7 Kukësit. Bardheblutë e zgjidhën këtë sfidë falë edhe dy supergolave të Bakaj e Curri, që gjunjëzuan kundërshtarin për të lëshuar edhe kreun në favor të Tiranës.

Ndërkohë Partizani iu fal golit të Mazrekaj për të dalë me pikët e plota nga Shkodra përballë Vllaznisë. 15 herë kampionët e vendit nuk e vunë në rrezik fitoren, teksa kuqeblutë kanë humbur shkëlqimin e javëve të para. Por dy skuadrat e kryeqytetit ndajnë kreun së bashku edhe falë barazimit në superndeshjen e javës së zhviluar në Vlorë ndërmjet Flamurtarit dhe Skënderbeut. Kuqezinjtë janë penalizuar nga ky 90 minutësh pasi përvec kartonit të kuq të Micit kanë parë të dëmtohen futbollistë të rëndësishëm si Vucaj dhe Muzaka. Historike ishte kjo sfidë për mbrojtësin korcar Kristi Vangjeli, që gjeti golin e parë në histori piëkrisht në një sfidë të luftuar. Si ansjëherë më parë në këto sezonet e fundit, Skënderbeu e sheh veten në vendin e 6 në tabelën e klasifikimit pas 8 ndeshjeve të luajtura edhe pse diferenca me kreun është vetëm 3 pikë. Laci do të mbëhet mend gjatë për ndeshjen e javës së tetë, jo vetëm sepse doli me sukses nga sfida me Elbasanin duke sulmuar kreun, por sepse është skuadra e parë që merr 3 pikët në impiantin e ri Elbasan Arena. Kurbinasit kanë përfituar ndoshta edhe nga hutimi i vendasve që nuk dukeshin të ambientuar me shtëpinë e re, për të dalë me sukses në këtë 90 minutësh dhe për tu pozicionuar vetëm 2 pikë larg dyshes së kreut. Për Elbasanin misioni mbijetesë bëhet edhe më i vështirë. Megjithatë skuadra e drejtuar nga trajneri Dosti mund të ndjehet e qetë edhe nga fitorja e Apolonisë ndaj Teutës, dy skuadrat rivale që për momentin janë me pikë të njëjta në zonën e rënies. Fierakët triumfuan me një rezultat minimal, për t'iu bashkuar djemve të detit në kuotën e 7 pikëve. Ashtu si për kreun, edhe për mbijetesën lufta parashikohet e fortë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat