Juventus i falet magjisë së Tevez, mposht Milanin

Sporti

Juventus i falet magjisë së Tevez, mposht Milanin

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 23:04

E vendos ai derbin e të mëdhenjve në Serie A, në të njëjtën minutë, si një vit më parë.

Carlos Tevez, gjithmonë ai, njeriu i Milan-Juventus por dhe njeriu më i rëndësishëm i bardhezinjve. E vendos ai derbin e të mëdhenjve në Serie A, në të njëjtën minutë, si një vit më parë duke i dhënë kreun e vetëm Juventusit, në shtatë ditë, ku i dha fitoren me Udinesen por dhe suksesin në Champions ndaj Malmoes. Milani detyrohet të dorëzohet përpara argjentinasit dhe ndaj ish-trajnerit të saj, që duhet të falenderoj pikërisht Tevezin, që la me gisht në gojë kuqezinjtë.

Sfida e “San Siros” vendoste përballë dhe dy njohje të vjetra, Allegri dhe Inzaghi, protagonistë të një konflikti pak kohë më parë në stërvitjen e kuqezinjve. Por koha thonë që shëron cdo plagë, dhe Inzaghi si xhentëlmen shkoi dhe i shtriu dorën ish-trajnerit të tij. Një sfidë mes dy gjigantëve të futbollit italian nuk mund të mos dhuronte emocione dhe i pari erdhi në minutën e 7-të nga këmbët e Pereyras, që përkëdheli rrjetën, vetëm se pjesën e jashtme të saj. Milani e nisi disi më ngadalë dhe ishte Honda që i dha gaz kuqezinjve në të 27-tën, vetëm se Buffon e frenoi me një pritje fantastike. Te Juventus në krahun tjetër frymëzimi erdhi nga këmbët e Tevezit e Pereyras që liruan Llorenten, por Abbiati doli në momentin e duhur duke ndërhyrë me këmbë. Ishin minuta më të mira për bardhezinjtë, që në të 35-të rrezikuan dhe me Bonuccin, përpara se Marchisio të bëntë të dridhej “San Siro” dhe shtylla e Abbiatit.

Para pushimit pati dhe një mundësi për Menezin, që përfitoi nga një gabim i Chiellinit, por për fatin e tij të keq nuk gaboi Buffon. Pjesa e dytë nisi si e para me Juventusin më këmbngulës, aq sa dhe Llorente besoi se mund të bënte mrekullinë, teksa dribloi tre milanistë në zonë, por nuk arriti të gjejë dot hapësirën e goditjes. Në të 58-tën, Marchisio provoi sërish por nuk ishtë mbrëmja e tij, pasi prozhektorët u ndezën të gjitha për Tevezin në të 70-tën, që me një goditje të “butë” konfirmoi forcën e Juventusit duke i dhënë avantazhin të tijve.

Goli është një dedikim për të birin por dhe mësim për Milanin, që duhet të kuptojë se dy fitore në dy javë nuk të bëjnë të madh, aq më tepër që 20 minutat deri në fund të ndeshjes, ishin një menaxhim i përsosur i Juventusit që nuk u ngacmua aspak nga Milani. Fitoi skuadra më e mirë që bëhet njëkohësisht dhe kryesuesja e vetme e Serie A, sic ka qenë në fakt në gjithë këto katër vitet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat