Verona i imponohet Palermos

Sporti

Verona i imponohet Palermos

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 22:56

Në stadiumin Bentegodi edhe pse ndeshja nisi më mirë për formacionin e Mandorlinit ishte Palermo që kaloi e para në avantazh.

Verona siguroi tre pikët e parë në këtë sezon të Serie A pasi mposhti 2-1 Palermon në takimin përmbyllës të javës së dytë. Në stadiumin Bentegodi edhe pse ndeshja nisi më mirë për formacionin e Mandorlinit ishte Palermo që kaloi e para në avantazh. Në minutën e 18-të ishte sulmuesi argjentinas Franco Vazquez ai që realizoi. Lojtari i skuadrës siciliane përfitoi nga një pritje jo e mirë e portierit Rafael dhe me portën e boshatisur e kishte thjeshtë një lojë fëmijësh dërgimin e sferës në rrjetë. Por disavantazhi nuk e demoralizoi aspak Veronën që vazhdoi të sulmonte me forca të shumta. Gjithsesi Hellas Verona duhej të priste minutën e 41-të për t’u shpërblyer.

Andjelkovic shtriu në tokë Luca Tonin dhe për arbitrin Rocchi kishim të bënim me penallti. Nga 11-metrat kapiteni i Veronës nuk fali duke barazuar rezultatin. Por skuadra e drejtuar nga Mandorlini e mbështetur edhe nga publiku i shumtë në shkallët e Bentegodit nuk mund të kënaqej me një pikë dhe në pjesën e dytë u hodh në sulm në kërkim të golit të dytë. Gol që erdhi në minutën e 78-të me Pisanon e Palermos që e dërgoi topin në rrjetën e tij, për avantazhin e Veronës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat