Majlinda shkëlqeu midis Rusisë, kampione e botës (Video)

Sporti

Majlinda shkëlqeu midis Rusisë, kampione e botës (Video)

Nga: Kemajl Goca Më: 26 gusht 2014 Në ora: 09:11

26 gushti, ditë e madhe për shtetin e Kosovës! Majlinda Kelmendi (52 kg), kampione e botës në xhudo! Krenaria jonë tregoi zemër të madhe në çdo përballje dhe ka luftuar si luaneshë deri në pikën e fundit.

Një luftëtare e fuqishme, e cila në finale e dërrmoi rumunen, Andreea Chitu. Super Majlinda, e para e botës dhe shkëlqeu midis Rusisë, në një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës.

Majlinda jonë, para se të futej në finale poshtëroi xhudisten ruse, Natalia Kuziutina dhe vet Rusinë. Mijëra tifozë rusë mbeten të shtangur në palestrën sportive në Chelyabinsk nga superioriteti i kryetrimes tonë, Majlindës, e cila e rrahu mjeshtërisht Natalia Kuziutina.

Hera e dytë që brenda pak muajve që ka rrahur këtë ruse, sepse herën e parë e demoloi në finalen e Kampionatit Evropian, që u mbajt në muajin prill të këtij vitit në Montpellier të Francës.

Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, me këshillat e tija, nuk e lejoi që Majlinda të gaboi, por shkoi fije e për pe në çdo përballje, duke e mundur një nga një rivalet.

Të lumtë Majlinda, të lumtë Driton. Kuka e Majlinda, të përmbajtur si gjithmonë, por në një moment i tradhtuan edhe lotët, ku iu rridhnin faqeve nga gëzim i madh, së po i sjellin shtetit të Kosovës, medaljen e dytë të artë nga Kampionati Botëror.

Datat 26 e 27 gusht, do të shënohen përgjithmonë me shkronja të arta. Vitin e kaluar, me 27 gusht, në finalen e Rios në Kampionatin Botëror, Majlinda kishte mundur brazilianen, Erika Miranda, e cila dje humbi në gjysmëfinale nga Andreea Chitu. Dhe dje më 26 gusht, midis Rusisë në finale shkatërroi rumunen, Andreea Chitu.

Majlinda në rrethin e parë e demoloi garuesen nga Venezuela, Vannesa Cortesia, duke e mposhtur për vetëm 49 sekonda. Ajo më pas ‘shkeli’ mungolezen, Bundmaa Munkhbaatar.

Këtë garuese e mundur për 4 minuta, për të vazhduar më tutje, ku u ballafaqua me një garuese shumë të fortë nga Kuba, Yanet Bermoy Acosta. Krenaria e sportit tonë, ishte superiore dhe për një minutë e 8 sekonda e deklasoi kubanezen.

Majlinda në gjysmëfinale tregoi superioritetin kundër ruses, Natalia Kuziutina, ku e mposhti dhe e heshti tërë palestrën. Në finale me stilin e saj, i dha leksion rumunes, Chitu. Majlinda Kukaj, tejet të lumtur për mbrojtjen e titullit të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat