Prezantohet Medel: Jam në një klub të madh

Sporti

Prezantohet Medel: Jam në një klub të madh

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 23:19

Mesfushori kilian, i ardhur nga skuadra uellsiane e Kardifit do të mbajë mbi supe numrin 18 dhe pritet të jetë një element i shtuar në skuadrën e Mazzarrit.

Gary Medel u prezantua zyrtarisht si një futbollist i Interit. Mesfushori kilian, i ardhur nga skuadra uellsiane e Kardifit do të mbajë mbi supe numrin 18 dhe pritet të jetë një element i shtuar në skuadrën e Mazzarrit. Në konferencën e parë për shtyp si zikaltër Medel u shpreh i kënaqur për zgjedhjen e bërë ndërsa nuk kërkoi të bëhen krahasime me emra të së kaluarës:

“Jam shumë i lumtur që kam firmosur me Interin. Nuk kam folur ende me kilianë të tjerë që kanë veshur fanellën e këtij ekipi, por kam biseduar me Pinillan që me tha gjëra interesante për historinë e klubit. Më kanë pritur shumë mirë në Pinetina. Kam pasur dhe oferta të tjera por unë dëshiroja vetëm Interin. Megjithatë nuk dua të më krahasojnë me futbollistë të tjerë, pasi nuk jam zëvendësuesi i askujt. Gjendem këtu për të fituar dhe është shpejt për të folur dhe për përshtatjen time me M’vila në mesfushë por të jeni të sigurtë që do të japë maksimumin për këtë fanellë”.

Sa i përket idhullit të tij, ai theksoi se pëlqen së tepërmi Zanettin ndërsa u tregua i prerë kur u pyet për një tjetër kilian që ka bërë emër në Itali, si Arturo Vidal:

“Më pëlqen shumë Zanetti, ai është një emblemë e Interit. Një lojtar me famë ndërkombëtare dhe një profesionist i vërtetë. Ka qenë gjithmonë një futbollist shembullor. Sa i përket pyetjeve tuaja për Vidalin, nuk më intereson shumë se cfarë do të vendos ai për të ardhmen. Unë gjendem këtu për të folur për Interin”.

Medel stërvitet prej tre ditësh me zikaltërit dhe mund të jetë titullar që në ndeshjen e kësaj fundjave me Torinon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat