Zotohen se gjithçka do të jetë gati për sfidën me Omanin!

Sporti

Zotohen se gjithçka do të jetë gati për sfidën me Omanin!

Nga: K.G. Më: 21 gusht 2014 Në ora: 15:15

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës janë zotuar se gjithçka do të jetë e gatshme për ndeshjen miqësore ndërkombëtare kundër Omanit. Kosova do të zhvillojë ballafaqimin e katërt të saj më radhë në rrafshin ndërkombëtar. Ata deri më tash janë takuar në Mitrovicë me Haitin, ku barazuan 0:0, pastaj humbën 6:1 nga Turqia (në Mitrovicë) dhe në Gjenevë u mundën me 3:1 nga Senegali. Kosova-Omani, luhet me 7 shtator, në orën 16.00, në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, tha se FFK-ja tashmë është bërë pjesë e arenës ndërkombëtare dhe kjo ndeshje është në radhën e ndeshjeve miqësore që do ta zhvillojë Kosova me përfaqësuesen e Omanit në terminet e caktuara nga FIFA. “Kemi vendosur që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë dhe për këtë kemi biseduar me drejtuesit e Komunës së Prishtinës, të ministrisë dhe faktorëve tjerë në mënyrë që të bëhen përgatitjet sa më të mira për ketë ndeshje jo vetëm në aspektin organizativ por edhe në aspektin përmirësimit të infrastrukturës së vet stadiumit dhe kemi marrë premtime se do të punohet në këtë drejtim. Kështu ndeshja do të zhvillohet më 7 shtator në orën 16.00 në stadiumin e qytetit në Prishtinë”, tha Salihu. Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri do të ketë një vizitë në Federatën Gjermane të futbollit dhe është mysafirë special me rastin e kremtimit të ditëlindjes së 70-të të nënkryetari të DFB Rainer Milkoreit, që do të ia organizojë federata gjermane. Agron Selimi nga kompania AS event si organizatore e ndeshjes, ka thënë se sikur edhe në ndeshjet tjera do të kemi një organizim të mirëfilltë dhe çdo herë do të përpiqemi që ta bëjmë mirë e më mirë për të gjithë. Në këtë ndeshje do të ketë befasi të ndryshme dhe ne besojmë se adhuruesit e futbollit në Kosovë do të ndahen të kënaqur. Në emër të kompanisë “Orange” ka folur Latif Maloku, i cili theksoi se do të kemi para ndeshjes disa aktivitete në sheshin “Nëna Terezë” si dhe “New Born”, që besoj se futbolldashësit do të kënaqën para ndeshjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat