Shpallet projekti fitues për Pallatin Olimpik

Sporti

Shpallet projekti fitues për Pallatin Olimpik

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 16:38

Komiteti Olimpik i Kosovës, Federatat Sportive dhe drejtuesit e sportit të vendit, kanë tanimë projektin për shtëpinë e tyre që do të ndërtohet brenda dy viteve. Këtë e ka bërë të ditur sot Juria Profesionale për përzgjedhjen e projektit të Pallatit Olimpik të Kosovës ku ka bërë shpalljen e projektit fitues.

Projekti me shifrën 2106 ka marrë vlerësimin më të madh nga anëtarët e Jurisë Profesionale dhe votave të qytetarëve dhe është shpallur projekti fitues.

Projekti me shifrën 5005 është shpallur si i dyti, ndërkaq projekti me shifrën X533 i treti.

Projektet konkurruese për Pallatin Olimpik kanë qenë të ekspozuara nga 23-27 qershor për të cilat publiku ka pasur drejtë të votojë tri projektet më të mira, e që 20% të vlerësimit final shkojnë prej këtij votimi. 80% e vlerësimit i takon Jurisë Profesionale. Nga 80 për qind e vlerësimit të jurisë, 70 % i takon vlerësimi arkitekturor dhe 30 % çmimi i ofertuar.

Ky objekt do të ndërtohet në lagjen ‘Prishtina e Re’ dhe në të do të vendoset Komiteti Olimpik i Kosovës, Komiteti Paraolimpik dhe mbi 30 federata të sporteve. Mjetet financiare për ndërtimin e tij do t'i ndajë MKRS-ja, që do të kenë shifrën e rreth 2 milionë eurove.

Juria profesionale ka qenë në përbërje të:

Besim Hasani, kryetar i KOK-ut – kryesues i jurisë; Fatmir Makolli, KOK; Artan Lila, KOK; Milaim Krasniqi, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportiv; Aferdita Fazliu, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS; Florim Kryeziu, udhëheqës i divizionit të Infrastrukturës Sportive; Refki Osmani, inxhinier për Infrastrukturë Sportive; Ardiana Qorraj, arkitekte në IMMK; Jehona Bashota, Zyrtare Ligjore MKRS; Vlora Navakazi, Inxhiniere e ndërtimtarisë; Masar Dushi, inxhinier i ndërtimtarisë dhe Sebahate Boshnjaku, Zyra e Prokurimit – monitoruese e procesit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat