Ku do të vazhdojë 'snajperisti' i Prishtinës?

Sporti

Ku do të vazhdojë 'snajperisti' i Prishtinës?

Nga: Kemajl Goca Më: 30 korrik 2014 Në ora: 11:03


Si gjithmonë afatet kalimtare për basketbollistë janë të paparashikueshme dhe mund të ketë lëvizje interesante edhe në këtë edicion. Alo-qendra e Sigal Prishtinës, Alban Veseli ende është i pavendosur për të ardhmen e tij. Ai është duke shikuar të gjitha mundësitë për të vendosur hapin e duhur në ditët e ardhshme. “Snajperisti” i Sigal Prishtinës ka mundësi të veshë fanellën e ndonjë skuadre tjetër në vend, bën të ditur një burim i afërt me basketbollistin. Veseli është rritur në klubin bardhekaltër dhe një kohë qe edhe pjesë e skuadrës së Pejës. Ai as nuk pohon por as nuk e mohon largimin nga kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, por pret që të shoh se si do të rrjedhin gjërat në ditët vijuese. “Tashmë do të shkojë në pushime dhe pastaj do të vendosi për të ardhmen time. Nuk e di çfarë të them më shumë, sepse ende jam pjesë e Prishtinës”, tha shkurt Veseli. Basketbollisti prej më të mirëve në vend ka disa oferta por nuk ka pranuar që t’i zbulojë se prej nga vijnë ato, por qëllimi i tij është të shoh gjithë situatën dhe kushtet që do t’i sillen në tavolinë. Shtrohet pyetja: Ku do të vazhdojë “snajperisti” i Prishtinës? Në klubin e Prishtinës përflitet se mund të ketë disa ndryshime: largime dhe prurje të reja të basketbollistëve. Kështu që, ende nuk dihet saktë se kush do të largohet e kush do të jetë pjesë e saj në edicionin e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat