Skënderbeu ndalet nga shtyllat, 1-1 me Bate Borisov

Sporti

Skënderbeu ndalet nga shtyllat, 1-1 me Bate Borisov

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 23:11

Rezultati përfundimtar 1-1 kualifikoi bjellorusët duke nxjerrë jashtë në mënyrë të pamerituar kampionët e Shqipërisë..

Me një qytet të tërë pas vetes dhe një tifozeri që dhuroi një dekor të jashtëzakonshëm, Skënderbeu besonte vërtetë se mund ta kapërcente “pengesën” Bate dhe formacioni i Josës i rreshtuar me skemën 4-3-2-1 tregonte se do të shikonim një skuadër të orientuar drejt sulmit. Fillimi megjithatë ishte i ngadaltë, me dy ekipe të kujdesshme për të mos pësuar e pak këmbengulëse në fazën e sulmit. Bate në minutën e 5-të u përpoq të shfrytëzonte armën e saj më të fortë, goditjet standarte dhe nga një e tillë për pak sa Rodionov nuk ndëshkoi korcarët. Skënderbeut mundësia e parë ju paraqit në të 18-të, me Lilajn që pa pasimin e tij të kalonte të gjithë pasqyrën e zonës së bjellorusëve përpara se të goditej jo mirë nga Berisha. Rasti i minutës së 21-të ishte ai që krijoi më shumë polemika, pasojë e mohimit të një goli për një faull të paqenë të Prognit ndaj portierit Cernik. Nëse mbrojtja e korcarëve kishte qenë e pakalueshme në ndeshjen e parë, nuk u shfaq si e tillë në të 29-tën, kur Kagush i ardhur nga mbrapa goditi saktë me kokë duke mposhtur Orges Shehin.

Në disavantazh, Skënderbeu tashmë nuk mund të priste më dhe pas vetëm tre minutash, Progni kërkoi goditjen fituese por pasiguria e Cernik u shoqërua dhe me mungesën e fatit teksa topi u përplas në shtyllë. Shtyllës ju afrua në të 35-tën dhe Radas, ndërsa në të 37-tën, Orelesi dhe Berisha nuk shfrytëzuan një rrëmujë në zonë. Pjesa e parë u mbyll me kampionët e Shqipërisë në sulm, me Sefën që nuk goditi ashtu sic duhet me kokë. Në pjesën e dytë, Bate u përpoq të mbronte rezultatin duke u tërhequr mbrapa ndërsa Skënderbeu e kishte të vështirë të gjente hapësira, ndaj kërkoi zgjidhjet nga largësia, si në minutën e 55-të, kur Orelesi goditi nga një pozicion jo shumë i përshtatshëm. Cernik u kuptua që nuk ishte një fenomen mes dy shtyllave dhe Shkëmbi u përpoq të shfrytëzonte këtë pasiguri të tij në të 58-tën, megjithatë ai që mori plotësisht frytet plotësisht nga “gafat” e Cernik ishte Radas nëntë minuta më pas.

Goli i dha besim korcarëve por gjithashtu dhe Vangjelit që provoi sërish nga jashtë zone por goditja e tij vajti jashtë kuadratit (74). Minuta e 80-të bëri me zemër tifozët korcarë, teksa fillimisht Jashanica ktheu drejt zonës por për fatin e bjellorusëve topi përfundoi në duart e Cernik. Në vijimin e aksionit Shehi bëri heroin duke ndalur goditjen e Aleksievich, që ju shfaq përballë pas një vendosje jo të mirë të mbrojtjes. . Fati ishte kundër Skënderbeut sërish në të 88-tën, kur shtylla, ajo që ndihmoi bjellorusët në golin e avantazhit i erdhi atyre sërish në ndihmë pas një devijimi të Filipenko. Emocionet megjithatë nuk kishin përfunduar, pasi në të 90-tën, Lilaj krijoi iluzionin e një goli për korcarët. Për fat të keq nuk ishte mirazh rezultati përfundimtar 1-1, që kualifikoi bjellorusët duke nxjerrë jashtë në mënyrë të pamerituar kampionët e Shqipërisë, që sërish dalin nga Europa, pa humbur në rezultat të përgjithshëm ndaj kundërshtarëve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat