Chelsea shumë pranë Diego Costas

Sporti

Chelsea shumë pranë Diego Costas

Më: 17 prill 2014 Në ora: 10:15

Duket gjithnjë edhe më i afërt akordi mes Chelseat dhe Atleticos së Madridit për transferimin e Diego Costas në Angli, një operacion i cili që tani mund të quhet ndër më të mëdhenjtë e merkatos së verës me një kosto totale prej 42.5 milionë Eurosh. Muajin e shkuar, përfaqësuesit e londinezëve zhvilluan një sërë takimesh me kampin e Diego Costas, ndërkohë që priten bisedime të tjera në kohën kur të dyja skuadrat do të përballen në gjysmëfinalet e Championsit. Kampionët në fuqi të Europa League janë të gatshëm t’i ofrojnë një pagë të trefishuar bomberit të Atleticos, i cili aktualisht merr gati 61 mijë Euro në javë.

Me Botërorin e Brazilit që po afron, Blutë e Londrës i kanë intensifikuar përpjekjet për finalizimin e marrëveshjes para se Diego Costa të niset si pjesë integrale e kombëtares spanjolle dhe sinjalet deri tani janë të qarta nga Los Colchoneros se nuk do të bëjnë rezistencë për të bllokuar humbjen e një lojtari kaq të rëndësishëm. Pak ditë më parë, trajneri Diego Simeone pranoi se Atletico ndihet i pafuqishëm përballë një klubi mjaft të fortë financiarisht e për më tepër, ai do të pranojë çdo opsion që Diego Costa mendon se është më i miri për të ardhmen e tij. Tekniku argjentinas dha si shembull rastin e Radamel Falcaos me kolumbianin që nuk pati ndonjë pengesë për kalimin e bujshëm te Monaco vitin e kaluar. Ishte pikërisht largimi i Falcaos që i hapi rrugë shkëlqimit rrezatues të Diego Costas te Atletico. Në 45 takime këtë sezon, 25-vjeçari ka shënuar gjithsej 34 gola, ndërsa në La Liga është golashënuesi i dytë më i mirë pas Cristiano Ronaldos me 26 gola.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat