Buffon: Pa Conten, sot mund të isha te Roma

Sporti

Buffon: Pa Conten, sot mund të isha te Roma

Më: 16 prill 2014 Në ora: 20:41

Rrëfim sensacional i Gigi Buffon, numrit një dhe kapitenit të Juventusit, i cili ndodhet në vitin e tij të 13-të me kampionët në fuqi të Serisë A. Lider brenda dhe jashtë fushe, portieri më i mirë italian dhe një ndër më të fortët në botë zbulon prapaskenën e një merkatoje që mund të kishte ndryshuar jo pak gjëra në historinë e futbollit italian.

“Nëse nuk do të ishte Conte, sot mund të isha te Roma, por nuk jam penduar duke parë se si shkoi më tej historia me Juven. Sigurisht që mund të ketë keqardhje, kur disa ngjarje rezultojnë më pas jo të suksesshme. Në këtë rast, zgjedhja ime për të qëndruar me Juventusin, një shoqëri mitike, nuk mund të lërë hapësira për t’u ndjerë i penduar”.

Në luftë për trofeun e tretë radhazi, nuk është ky objektivi i vetëm i bardhezinjve, siç konfirmon Buffon.

“Duam titullin në Serinë A, por edhe suksesin në Europa League që të rikthehemi mes të mëdhenjve të kontinentit. Europa League nuk është një detyrim, por një objektiv i arritshëm nëse japim maksimumin”.

Çfarë i ka dhënë Conte skuadrës? Buffon e ngre në qiell teknikun e Zonjës së Vjetër për punën e madhe në këto sezone të fundit.

“Edhe këtë vit Conte i ka dhënë shumë ekipit në aspektin e motivimit sepse të themi të vërtetën, pasi fiton dy herë rresht kampionatin, në të tretin dëshira ndoshta bie, por ai gjithmonë e karikon skuadrën, duke na kujtuar se asgjë nuk është e sigurt”.

Buffon gjithashtu vlerësoi Carlos Tevez duke thënë se i ka dhënë shumë dorë Juventusit këtë sezon, ndërsa me fjalë të ëmbla mjalt foli edhe për xhevairin Paul Pogba, të cilin e cilësoi një talent të natyrës dhe të padiskutueshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat