Volejboll, Studenti mposht Tiranën dhe shpallet kampion për herë të 13

Sporti

Volejboll, Studenti mposht Tiranën dhe shpallet kampion për herë të 13

Më: 10 prill 2014 Në ora: 21:22

Studenti shkatërron Tiranën edhe në ndeshjen e dytë finale të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, duke ngritur titullin e tretë rresht dhe të 13-in në histori duke barazuar trofetë e fituar nga Partizani. Skuadra kryeqytetase u shfaq dukshëm superior ndaj bardhebluve edhe në takimin e dytë të transmetuar ekzkluzivisht në Supersport, duke konfirmuar dominimin e viteve të fundit në rrjetën shqiptare. Pas suksesit të pastër të një jave më parë në “Asllan Rusi”, djemtë e drejtuar nga Ylli Tomorri treguan muskujt që në topat e parë, duke dominuar kundërshtarët që u dukën të pafuqishëm si në sulmet e tyre pranë rrjetës ashtu edhe në bllok. 25-18 u mbyll seti i parë dhe u duk se ndeshja do të shkonte në këtë drejtim edhe gjatë setit të dytë por Tirana nuk lëshoi terren duke e çuar rezultatin deri në barazimin 24-24 pas një gabimi të Nazifit.

Momenti kyç i takimit ishte ai i momentit kur arbitri kryesor gaboi duke dhënë pikën e 26-të për Studentin edhe pse pamjet tregojnë qartë se lojtarët bardheblu nuk e prekën topin. Ky vendim ngjalli reagimin e lojtarëve të shtëpisë që protestuan gjatë pasi nuk arritën të ndalin as pikën e radhës për Studentin që e mbylli këtë set me rezultatin 27-25. Avantazhi i dy seteve nuk e shkatërroi psikologjikisht skuadrën e Arben Sakos që arriti t’i bënte ballë kundërshtarit duke mos lëshuar terren as në setin e tretë ku Ndoni mori në krahët e tij skuadrën duke rikuperuar disavantazhin e thellë 12-4, duke rikthyer bindshëm në lojë Tiranën që fitoi setin e parë të finales me rezultatin 25-21.

Ndihma e tifozëve që kishin mbushur pallatin e sportit “Farie Hoti” nuk e ndihmoi Tironën të fitonte terren sepse seti i katërt edhe pse i ekuilibruar u dominua në fund nga bardhekuqtë që fituan 25-23, të cilët mbyllën me sukses finalet me rezultatin e përgjithshëm 2-0. Dy sfida që u dominuan nga Studenti, skuadër e cila tregoi më shumë eksperiencë dhe talent, duke konfimruar edhe një herë se është ajo skuadra e meshkujve të volejbollit që duhet mundur edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Por nëse Studenti nuk përbën më një risi për volejbollin shqiptar, është Supersport që për herë të parë këtë sezon solli në ekran finalen mes dy skuadrave të kryeqytetit, duke i shtuar gamës së paketës sportive edhe volejbollin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat