Barazia gjinore, Mesi: Së shpejti njësi koordinuese për forcimin e mekanizmit

Shqipëria

Barazia gjinore, Mesi: Së shpejti njësi koordinuese për forcimin e mekanizmit

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 13:27
Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja Senida Mesi, në tryezë e rrumbullakët rajonale për barazinë gjinore që organizohet për herë të parë në Shqipëri.

Shqipëria do të ketë një njësi koordinuese për forcimin e mekanizmit kombëtar të barazisë gjinore, e cila do të sigurojë qëndrueshmëri më afatgjatë e bashkëpunim më të thellë me partnerët e donatorët.

Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja Senida Mesi, në tryezë e rrumbullakët rajonale për barazinë gjinore që organizohet për herë të parë në Shqipëri.

Në fjalën hapëse të këtij aktiviteti, Mesi e cilësoi këtë aktivitet si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin rajonal të eksperiencave. Ajo u ndal tek promovimi i barazisë gjinore si një prej shtyllave bazë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë, ngelen esenciale në avancimin e axhendës së barazisë gjinore”, theksoi Mesi.

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor u shpreh se “barazia gjinore i shërben ‘ekonomisë së zgjuar’ dhe në Ballkanin Perëndimor ka një hendek të vogël për sa i takon arsimimit mes burrave e grave, por ka një hendek më të madh kur vjen puna tek aksesi në tregun e punës”. Ajo nënvizoi faktin se Banka Botërore dhe partnerët e tjerë zhvillimorë po bashkëpunojnë me qeveritë e rajonit për promovimin e barazisë gjinore.

Petra Burchner, Drejtoreshë e Agjencisë Suedeze për Zhvillim u shpreh se ka arritje të dukshme por ka ende sfida në vijim për sa i takon dhunës ndaj grave e vajzave. “Ndryshimi shoqëror është i vështirë, por të bashkuar ia dalim”, theksoi ajo.

Kjo eksperiencë do të shërbejë për të nxjerrë mësime për reformat e qeverisë shqiptare në kuadër të “Objektivit Strategjik numër 4” të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe “Planin e Veprimit 2016-2020 – Fuqizimi i Mekanizmit Kombëtar për Barazinë Gjinore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat