Që sonte në gatishmëri, 1500 policë në protestën e PD. Devijohet trafiku

Shqipëria

Që sonte në gatishmëri, 1500 policë në protestën e PD. Devijohet trafiku

Më: 25 maj 2018 Në ora: 11:29
Ilustrim

Zbardhet plani i masave të policisë për protestën e të shtunës të Partisë Demokratike. Do të ketë devijim trafiku në aksin që lidh bulevardin me qendrën e qytetit.
Autobusët nga rrethet nuk do lejohen të futën në qendër të Tiranës. Të angazhuar mesohet se do te jene rreth 1500 police.

Opozita ka dorëzuar në Policinë e Tiranës kërkesën për zhvillimin e protestës së të shtunës. Protesta është parashikuar të nisë në orën 11:00, ndërsa në kërkesë nuk përcaktohet një orar për mbylljen.

Kjo përkon me diskutimet që bëhen ende në radhët e partive opozitare, por dhe brenda Partisë Demokratike për zgjatjen e protestës për 72 orë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka postuar në “Facebook” spotin që fton qytetarët në protestë, më 26 maj në orën 11.00.

“Me paratë e krimit dhe drogës ata po kapin ekonominë, duke na lënë të papunë e të varfër. Nuk ka të ardhme për shqiptarët me krimin në pushtet. Është në dorën tonë t’i largojmë”, thuhet në spot, shoqëruar me foto të zyrtarëve të maxhorancës, që janë përfolur për lidhje me krimin dhe afera korruptive. Por sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ka sqaruar dje se protesta do të mbyllet ditën e shtunë dhe nuk do të ketë ngujim të protestuesve para godinës së Kryeministrisë.

“Protesta do të jetë paqësore. Presim një pjesëmarrje të fuqishme kundër keqqeverisjes. Është lënë pa orar, jo se do të zgjasë shumë. Do të mbyllet brenda ditës së shtunë, por do të ketë kohëzgjatjen e saj normale. Sigurisht, që ka njerëz që duan ta shprehin revoltën më fort, por çelësi i suksesit për ne, është pjesëmarrja. Mesazhi është që kjo qeveri duhet të largohet, Shqipëria nuk mund të ecë me trafikantë droge. Kështu si jemi, nuk kemi të ardhme. Në protestë janë të ftuar të gjithë, pavarësisht divergjencave, janë të gjithë të interesuar për t’u bashkuar kundër një të keqeje që na godet të gjithë njëlloj”, tha dje Ristani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat