Bënin jetë pasanikësh me paratë e qytetarëve, çifti mashtruan edhe motër e vëlla të kthyer nga…

Shqipëria

Bënin jetë pasanikësh me paratë e qytetarëve, çifti mashtruan edhe motër e vëlla të kthyer nga…

Më: 23 maj 2018 Në ora: 16:17
Fisnik Kajolli dhe Migena Kajolli

Përvetësuan nëpërmjet mashtrimit 200 mijë euro, arrestohet një çift të rinjsh nga Fieri.

Në bashkëpunim me njëritjetrin, ata kishin ngritur një skemë mashtrimi ku iu premtonin qytetarëve vende pune në kompani të mëdha e deri te ndërmjetësimi për ortakëri.

Policia e Fierit bëri të ditur se bashkëshortët Fisnik Kajolli 34 vjeç dhe Migena Kajolli 27 vjeçe, nga fshati Dermenas i Fierit, u arrestuan me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Arrestimi i tyre u bë pasi në Prokurorinë dhe Policinë e Fierit u paraqitën qytetarë, të cilët ishin mashtruar nëpërmjet një skeme “të ligjshme”, ku për dhënien e parave të tyre kishin firmosur edhe te noteri sikur do të jepej në formën e një huamarrje.

SKEMA

Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, bashkëshortët iu premtonin qytetarëve të ndryshëm vende pune nëpër kompani private. Zhvatja ka nisur në vitin 2016, ku ata kishin ndërtuar një skemë mashtrimi duke u prezantuar si një çift me njohje e miq në sfera të ndryshme të biznesit. Ata iu premtonin qytetarëve se do të shfrytëzonin pikërisht këto njohje e miqësi për të ndërmjetësuar në kompani të ndryshme të zonës.

Përmes ndërhyrjes së tyre, këto kompani (kryesisht në sektorin e hidrokarbureve) do t’u siguronin qytetarëve kontrata pune. Sipas burimeve nga hetimi, ka rezultuar se strumbullari i gjithë kësaj vjedhjeje ishte 27-vjeçarja.

Kjo e fundit mësohet se pasi binte në kontakt me njerëzit që kërkonin punë, u merrte një shumë parash që shkonte nga 1 mijë deri në 3 mijë euro dhe pas kësaj u thoshte se kompania e interesuar do t’u dërgonte një mesazh konfirmimi në telefon. Në të vërtetë, mesazhet ua dërgonte vetë Migena më pas, nga ku të interesuarit mbaheshin për disa kohë pezull me argumentin se rasti i tyre ishte në shqyrtim.

Burime nga Policia bënë të ditur se 27-vjeçarja me të shoqin, për t’u bërë sa më të besueshëm për qytetarët, ua merrnin atyre paratë pasi kishin firmosur më parë te noteri. Te noteri gjithçka ishte e ligjshme, pasi qytetarët dhe sekserët binin dakord paraprakisht që para noterit do të firmosej sikur këto para iu jepeshin atyre në formë huaje.

Kjo skemë kryhej me të gjithë qytetarët, të cilët ishin skeptikë në dhënien e parave. Për t’u bërë sa më të besuar për ta, vetë çifti propozonte që të bënin kontratë noteriale sikur paratë i jepnin si formë borxhi për një periudhë të caktuar. Ndërkohë që verbalist, ata kishin rënë dakord më parë se paratë do t’u ktheheshin nëse punëmarrësit do të kthenin përgjigje negative.

“ORTAKET”

Rasti që ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Fierit ka qenë në fillim të vitit 2017 me dy familjarë nga ky qytet, motër e vëlla me njëri-tjetrin. Ata ishin kthyer nga emigracioni dhe po kërkonin një formë të sigurt për të vënë në punë paratë e tyre. Në gjurmë të tyre ka rënë çifti Kajolli, të cilët iu kanë dalë garant dy familjarëve se do t’i bënin aksionerë në një prej kompanive më të mëdha të naftës, emri i së cilës nuk është bërë i ditur.

“Çifti Kajolli u kanë marrë shtetasve F.H. dhe N.H., motër e vëlla me njëritjetrin, shumën prej 35 mijë euro dhe rreth 96 milionë lekë të vjetra, të ndara në dy këste, duke nënshkruar disa akte noteriale, ku u thoshin se nëse nuk do të kryhej bashkëpunimi i nisur, shuma e lekëve do t’u kthehej mbrapsht.

Pasi kanë pritur gjatë dhe kontrata për t’u bërë aksionerë nuk po firmosej, dhe njëherazi kontakti me çiftin po bëhej i pamundur, atëherë motër e vëlla i janë drejtuar Prokurorisë. Pas kësaj, prokurori i çështjes, Çlirim Sino, ka zbuluar se skema e mashtrimit kishte kapur në grackë shumë shtetas, të cilëve u janë marrë sasi të ndryshme parash.

Burimet tregojnë se dy të ndaluarit kanë kryer mashtrime edhe gjatë muajve shkurt dhe mars 2018, kur ata ishin në hetim për shkak të denoncimeve të kryera më parë nga persona të tjerë të mashtruar. Gjithashtu, rezultoi se ata kishin mashtruar një numër të konsiderueshëm personash, ku denoncimet e shumta në Polici çuan në arrestimin e bashkëshortëve Kajolli.

Denoncuesit i kanë çuar Policisë edhe mesazhet që kishin shkëmbyer me çiftin. Është konstatuar se bashkëshortët Kajolli bënin jetë pasanikësh dhe se drekonin dhe darkonin në restorante. Po ashtu, ata shpenzonin shuma të konsiderueshme parash nëpër shtete të tjera apo për sende me vlerë si automjete dhe bizhuteri.

Çifti ka dy fëmijë të mitur. Në ngarkim të tyre, materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Mashtrimi i kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat