Në mungesë të Bashës, Berisha “shkund” PD-në, zbardhet debati në mbledhje - Bota Sot
Në mungesë të Bashës, Berisha “shkund” PD-në, zbardhet debati në mbledhje

Shqipëria

E martë, 24 prill 2018

Në mungesë të Bashës, Berisha “shkund” PD-në, zbardhet debati në mbledhje

Më: 17 prill 2018 Në ora: 09:44
Ish-Kryeministri Sali Berisha

Ish-Kryeministri Sali Berisha është i bindur se vendi po shkon drejt një diktature të re nën qeverisjen e Edi Ramës, ndaj edhe kërkon reagimin e ashpër të opozitës.

“Panorama” ka mësuar se në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar Demokrat, që u zhvillua në mungesë të kreut të PD-së, Lulzim Basha, mesazhi i Berishës mori vëmendjen kryesore në grup për vijimin e aksionit të PD-së në Parlament.

Berisha ka folur për një gjendje të rëndë ekonomike që po kalon vendi, duke kërkuar që çdo biznesmen të ketë mbështetjen e deputetëve demokratë. Ish-Kryeministri ka këshilluar ligjvënësit e djathtë të zhvillojnë takime në zonat e tyre dhe të ofrojnë mbështetje për çdo reagim qytetar. Berisha është zotuar se PD do të vijojë betejën e saj parlamentare me qeverinë deri në lirimin e 11 kuksianëve, që mbahen në burg për protestën e zhvilluar në Rrugën e Kombit.

Të njëjtat burime sqarojnë se deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka kërkuar që aksioni i opozitës të përqendrohet vetëm në lirimin e 11 kuksianëve të arrestuar. Sipas Balliut, njerëzit janë të revoltuar, por i tremben faktit se mund të arrestohen dhe për këtë kërkojnë garanci nga opozita. Aleati i demokratëve, Dashamir Shehi, ka deklaruar në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar se për lirimin e 11 kuksianëve të arrestuar, mund të sakrifikohet edhe normaliteti i seancave parlamentare. Shehi ka kërkuar që opozita të dalë në krah të protestuesve të Kukësit, pasi, sipas tij, asnjëri prej tyre nuk u nxit nga interesat partiake për të ndërmarrë atë protestë dhe përballje të fortë me Policinë.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, ka informuar deputetët e PD-së se aksioni i fortë në Parlament do të vijojë dhe se Kryeministri nuk do ta ketë të lehtë të përballet me opozitën, pas qëndrimeve dhe deklaratave që ka bërë për shqiptarët.

Paloka e ka cilësuar Kryeministrin Rama rrugaç dhe i ka kujtuar deputetëve demokratë se përballë tij ligjvënësit e djathtë do ta kenë të vështirë të ruajnë qetësinë. Burime nga selia blu bëjnë me dije se pas kthimit nga Gjermania, kreu i PD-së, Lulzim Basha, do të zhvillojë një tjetër mbledhje të grupit parlamentar, në të cilën do të vendosë përfundimisht për aksionin që opozita do të mbajë në Parlament.

DEBATI NË GRUPIN E PD-SË

Edi Paloka: Seanca e kësaj të enjteje prodhoi një nga aksionet më të forta që kemi ndërmarrë gjatë kësaj periudhe në Parlament. Aksioni opozitar, ashtu siç edhe kryetari Basha e ka bërë publike në media, do të jetë në koherencë të plotë me revoltën dhe zemërimin qytetar. Ata përjashtuan 6 deputetë të opozitës, le t’i përjashtojnë. Le të na përjashtojnë edhe të gjithëve dhe ta mbajnë të gjithin për vete atë Parlament. Në fund të asaj seance, vetëm mesazhe pozitive kemi marrë nga qytetarët. Nuk ka më asnjë dyshim se ky është një Kryeministër rrugaç dhe përballë tij e kemi të pamundur të sillemi si ligjvënës të vetëpërmbajtur. I kemi konsumuar të gjitha rrugët, të gjitha mënyrat demokratike. Ndaj, edhe aksioni politik do të vijojë të jetë i njëjtë. Edi Rama, me fjalorin e tij ordiner, nuk do të ketë qetësi as në komisionet parlamentare dhe as në Parlament. Ky Kryeministër nuk ka dhe nuk do të ketë qetësi nëse më herët nuk do të lirojë ata 11 kuksianë, që ende mbahen në burg. Ju e keni parë edhe vetë pas atij reagimi që kemi pasur në seancë, se sa frikë ka demonstruar në sjelljet e tij. Dhe më të fortë ka për ta pasur reagimin. Grupi parlamentar do të mblidhet sërish për të përcaktuar qëndrimin përfundimtar që do të mbajmë në këtë seance.

Valentina Duka: Unë gjykoj se duhet të kemi një zë edhe në komisionet parlamentare. Pa dyshim, aksioni që zhvillojmë në Parlament ka peshën kryesore, por unë besoj se PD do të duhet të ketë përfaqësuesin e saj edhe në komisionet parlamentare, për të përcjellë këto qëndrime për të cilat po flasim. Gjykoj se në çdo komision parlamentar, ku zhvillohen diskutime për çështje të caktuara nga përfaqësuesit e shumicës, deputetët tanë të jenë për të ripërsëritur qëndrimin opozitar.

Klevis Balliu: Unë mendoj se i gjithë aksioni ynë si opozitë duhet të përqendrohet te protesta e Kukësit dhe te lirimi i atyre 11 burrave që janë në burg. Sepse është e vërtetë që ka shumë revoltë dhe njerëz që duan të reagojnë, por edhe mua personalisht më janë drejtuar duke më thënë: “Ne kemi dëshirë të arrestojmë, madje edhe t’ju mbështesim, por a na nxirrni ju nga burgu nëse ne përfundojmë si ata kuksianët?”. Prandaj, them se duhet ta përqendrojmë këtu protestën tonë dhe të kërkojmë lirimin e atyre protestueseve.

Dashamir Shehi: Unë gjykoj se për aq kohë që ata 11 kuksianë janë në burg, atëherë edhe ne duhet të sakrifikojmë diçka nga normaliteti i Parlamentit. Sepse është në nderin e kësaj opozite dhe aksionit të saj politik që t’i mbrojë ata njerëz, të cilët nuk u ngritën me flamujt e partive, por nga nevoja e tyre, nga pamundësia që do të kenë për ta paguar atë taksë dhe u përballën me shtetin dhe me arrestimet. Pra, edhe njëherë, unë gjykoj se deri në momentin që ata do të lirohen, ta sakrifikojmë normalitetin në atë Parlament. Nuk mund të ketë normalitet, për aq kohë sa ata burra janë në burg. Ne jemi në mbështetje të qytetarëve.

Sali Berisha: Fatkeqësisht, ajo që unë konstatoj është se në këtë vend po rikthehet diktatura. Nëse ne nuk reagojmë, nëse nuk mbështesim qytetarët në protestat e tyre, vendi do t’i nënshtrohet diktaturës që po i imponon ky Kryeministër. Mendoj se është në përgjegjësinë e çdo deputeti që të shkojë në zonën e tij dhe të flasë me mbështetësit e tij, me qytetarët, me biznesin dhe t’i mbështesë protestat e tyre. Nuk mund të ketë qetësi, Parlamenti dhe Edi Rama nuk mund të flasë në atë foltore pas atij fjalori rrugaçëror që ka përdorur ndaj shqiptarëve. Parlamenti dhe rrugët e vendit nuk mund të kenë qetësi kur biznesit të vogël i hiqet edhe ajo mundësi minimale që ka për të siguruar mbijetesën. S’mundet të përfshihet biznesi i vogël në skemën e TVSH-së. Gjendja ekonomike është më e rëndë edhe se në komunizëm. Është në përgjegjësinë e opozitës t’i qëndrojë në krah të gjithë atyre burrave, që janë arrestuar për protestën e Rrugës së Kombit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test