Emergjencat, SHBA i dhuron Shqipërisë pajisje me vlerë 600 mijë dollarë

Shqipëria

Emergjencat, SHBA i dhuron Shqipërisë pajisje me vlerë 600 mijë dollarë

Më: 30 janar 2018 Në ora: 18:15
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu dhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka pritën dërgesën e parë të pajisjeve nga Uashingtoni, për përgjigjet ndaj fatkeqësive për Drejtorinë e Emergjencave Civile të Shqipërisë për të përforcuar kapacitetet e tyre për t’iu përgjigjur përmbytjeve në të ardhmen.

Dërgesa erdhi nga Livorno, Itali, pas bashkërendimit të gjerë me Programin e Ndihmave Humanitare të Komandës Europiane (EUCOM).

Një dërgesë e dytë nga Albany, Xhorxhia, do të vijë së shpejti, thuhet në një njoftim të Ambasadës së SHBA.

Ambasadori Lu mbajti një fjalim gjatë ceremonisë ku tha se: “besojmë në heroizmin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe jemi krenarë t’i mbështesim ata në misionin e tyre për të shpëtuar jetë këtu në shtëpi dhe jashtë vendit”.

Ndërkaq, Majori Joshua Glendening, shefi i Zyrës për Bashkëpunimin Ushtarak e SHBA në Shqipëri, u shpreh se: “Këto pajisje janë pjesë e një përpjekjeje shumëpalëshe për të ndihmuar partneren dhe aleaten tonë të ngushtë në aftësinë për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore në të ardhmen”.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mundësi bashkëpunimi me qeverinë shqiptare, për të ndihmuar me shërbimet e emergjencës që nevojiten në prag përmbytjesh apo zjarresh rajonale në pyje”, vijoi ai.

Ndihmat vijnë pas kërkesës së bërë nga Shqipëria në drejtim të NATO-s, përmes Qendrës Euro-Atlantike për Bashkërendimin e Përgjigjeve ndaj Fatkeqësive. Vlera totale e pajisjeve dhe ndihmave kap shifrën e mbi 600,000 USD, që përfshijnë 4 zadra shpëtimi, 126 kostume polumbari, 10 gjeneratorë të mëdhenj ushtarakë, 1671 batanije, 600 dyshekë alpin, 100 ngrohëse dhe 15 çadra.

Kujtojmë që gjatë përmbytjeve, kryeministri Edi Rama mohoi publikisht që Shqipëria të kishte kërkuar ndihmë nga NATO apo vende të BE-së për përballimin e situatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat