Njihuni me bashkëjetuesen e gjyqtarit që bën 7 punë në Shqipëri, e pabesueshme shuma që merr

Shqipëria

Njihuni me bashkëjetuesen e gjyqtarit që bën 7 punë në Shqipëri, e pabesueshme shuma që merr

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 08:35
Foto ilustrim

Gjyqtarët që shërbejnë në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit, në Tiranë apo në rrethe, ashtu si anëtarët e organeve më të larta të drejtësisë, posedojnë pasuri befasuese në raport me pagat e tyre dhe nivelin e jetesës në Shqipëri.

Disa gjyqtarë thonë se nuk e kanë ditur se kishin edhe një apartament tjetër në bashkëpronësi, ndërsa dikush tjetër deklaron se bashkëjetuesja e tij bën 7 punë njëherësh. Shqiptarja.com u referohet vetëm deklaratave së pasurisë për vitin 2016 dhe jo deklaratave fillestare apo deklaratave të viteve të ndërmjetëm, çka do të thotë se, pasuria e pasqyruar është vetëm një pjesë e pasurisë reale që posedojnë gjyqtarët.

Artan Gjermeni

Gjatë vitit 2016, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni, deklaron katër pasuri të reja të paluajtshme, konkretisht terren sportiv, lokal, tokë bujqësore dhe shtëpi banimi. Gjyqtari deklaron një shtëpi banimi në Lushnje, me sipërfaqe 74 m2, me dëshmi trashëgimie, 66.6 % të pjesës.

Gjermeni është gjithashtu pronar në masën 100 % i një toke bujqësore, me sipërfaqe 1 856 m2, në fshatin Kutje të Lushnjes, përfituar me dëshmi trashëgimie. Ai deklaron se posedon 20 % të një terreni sportiv, me sipërfaqe 1 092 m2, i mbuluar dhe me dhoma zhveshje.

Po gjatë vitit 2016, gjyqtari është bërë bashkëpronar në masën 20 % i një tjetër pasurie të paluajtshme, ku përfshihen truall me sipërfaqe 450 m2 dhe ndërtesë, bar kafe, 1 kat me sipërfaqe 90 m2. Në deklaratën e pasurisë nuk të dhëna për vendndodhjen e terrenit sportiv dhe lokalit. Gjyqtari ka gjithashtu në pronësi një dyqan me sipërfaqe 40 m2, në Tiranë, të cilin e ka dhënë me qira si dhe një zyrë në qytetin e Lushnjes, dhënë gjithashtu me qira.

Artan Gjermeni deklaron rreth 370 mijë USD depozita dhe llogari bankare, konkretisht depozitë në vlerën 18 586 203 lekë, depozitë të bashkëshortes, në vlerën 16 537 246 lekë, llogari bankare, shtuar me 3 489 181 lekë në 2016, llogaria e rrjedhëse 1 049 272 lekë etj. Duke përfshirë pagat, të ardhurat nga qiratë, shtesat dhe gjendjet në llogari dhe depozita bankare, shuma arrin mbi 450 mijë USD.

Çuditë e drejtësisë

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Anila Capo, deklaron një overdraft në Bankën Credins, me një vlerë të pazakontë, 1 700 000 lekë. Bashkë me bashkëshortin zonja ka marrë edhe 300 mijë euro kredi në Bankën Amerikane të Investimeve. Ata kanë marrë edhe një kredi në Bankën Credins, 130 mijë euro si dhe një huamarrje personale 13 mijë euro.

Bashkëshorti i gjyqtares, Sejdin Zere, rezulton administrator i pesë kompanive, ku deklaron 1 967 424 lekë pagën dhe 3 875 081 lekë fitime. Kurse, Ken Dhima, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative në Vlorë, deklaron një apartament banimi me sipërfaqe 51,65 m2, sipas vërtetimit të dokumentit hipotekor datë 01.03.2014, për të cilin gjyqtari thotë se nuk e ka ditur se kishte 1/5 e pasurisë.

Në mars të vitit 2014, ILDKP e kallëzoi penalisht Ken Dhimën për deklarim të rremë, fshehje të pasurive dhe për mosmbulim të vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme për vitet 2005, 2007 dhe 2008.

Bashkëjetuesja që bën 7 punë

Alma Osmanaj, bashkëjetuesja e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdallai, rezulton me të ardhura nga shtatë punë të ndryshme, brenda dhe jashtë vitit, në sektorin provat dhe publik. Për vitin 2016, ajo deklaron 13 049 443 lekë ose rreth 100 mijë euro të ardhura si notere në Tiranë, 3 047 836 lekë të ardhura nga paga në Ministrinë e Drejtësisë, 94 237 lekë të ardhura nga paga si juriste pranë QSUT, 17 100 lekë të ardhura si pedagoge pranë ‘Albanian University”, 73 mijë USD të ardhura nga punësimi jashtë vendit, 1 350 euro të ardhura nga punësimi pranë Projektit të Grupit të Krizave Ndërkombëtare dhe 3 mijë euro të ardhura nga shërbimi lidhur me ReSPA, financim nga BE. Mbetet e paqartë se si zonja në fjalë ka punuar njëherësh në dy institucione publike siç është QSUT dhe Ministria e Drejtësisë.

Gjithashtu duket e habitshme se si ajo ka punuar njëherësh në QSUT, Ministrinë e Drejtësisë, jashtë vendit, si notere në Tiranë etj. Ndërkaq, Alma Osmanaj deklaron  apartament në Tiranë, me sipërfaqe 118 m2, me vlerë 7 758 900 lekë, garazh në Tiranë me vlerë14 500 euro, makinë tip Toyota me vlerë 1 400 000 lekë dhe apartament në Golem me vlerë 50 mijë euro.

Shitblerjet e pasurive  

Ilir Çeliku, ish-gjyqtar i Apelit në Vlorë, deklaron se gjatë vitit 2016, ka shitur pasuri të paluhatshme në në Tiranë, në vlerën 250 mijë euro. Gjyqtarja Aantoneta Prendi ka shitur një pasuri të paluajtshme të paspecifikuar, për të blerë një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 86 m2, me vlerë 69 690 euro. Ndërsa Enkeleda Kapedani, gjyqtaren në Gjykatën e Elbasanit ka shitur tokë arë në Golem, me vlerë 1 400 000 lekë. Gjyqtarja e Beratit thotë se ka marrë një hua pa afat për blerjen e një apartamenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat