Vrasja në Durrës, zbulohet lidhja mes dy viktimave dhe drejtuesve të policisë së Durrësit

Shqipëria

Vrasja në Durrës, zbulohet lidhja mes dy viktimave dhe drejtuesve të policisë së Durrësit

Më: 28 prill 2017 Në ora: 07:46
Ervin Dalipaj

Ervin Dalipaj dhe shoku i tij Juxhin ose Xhino Dauti të vrarë në 25 prill 2017 në mbikalimin e Sukthit, kanë pasur lidhje të forta në strukturat hetimore të policisë së Durrësit.

Duket se falë këtyre njohjeve, Dalipaj lëvizte lirshëm me pistoletë në brez dhe me makina luksoze, megjithëse ishte në kërkim policor prej 16 muajsh, për akuzën e rrëmbimit, torturimit dhe vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku.

Të njëjtën gjë bënte dhe shoku i tij Juxhin Dauti, megjithëse ishte në hasmëri për vrasjen e ish-kampionit kombëtar të bilardos Fation Bani në Vlorë. Të dhënat tregojnë se Dalipaj dhe Juxhin Dauti, kanë pasur njohje direkte me shefin e sektorit të hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar Arbër Zemani në policinë e Durrësit. Ky i fundit është personi përgjegjës për hetimin e vrasjeve në Durrës dhe që administron informacionin për veprimtarinë e Krimit të Organizuar në këtë qark. Burime pranë policisë së Durrësit i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se Zemani, është kushëri i parë i viktimës Juxhin Dautit. 27-vjeçari nga Vlora ishte së bashku me Dalipaj në makinën tip “Audi 8S”, ku mbetën të vrarë të dy me 32 plumba.”Dauti dhe shefi i sektorit të hetimit të vrasjeve dhe Krimit të Organziuar në Durrës, rezultojnë të jenë djem tezesh, pasi nënat e tyre janë motra”-thanë burimet pranë policisë së Durrësit.

Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga rregjistri i gjëndjes civile, ku prindërit e nënës së Zemanit dhe Dautit janë të njëjtë,fakt ky që vërteton se Dauti e Zemani janë kushërinj të parë. Po çfarë e lidhte Juxhin Dautin me ish-oficerin e policisë Ervin Dalipaj? Pse kushëri i parë i shefit të hetimit të krimeve të rënda në policinë e Durrësit, mbante shoqëri të ngushtë me një shumë të kërkuar nga policia e këtij qyteti, siç ishte Ervin Dalipaj? A kishte dijeni shefi i hetimit të krimeve të Rënda dhe Krimit të Organziuar lidhur me vendodhjen e Ervin Dalipaj dhe pse nuk kishte organizuar një operacion të vetëm për arrestimin e tij? A kishte dijeni Zemani se djali i tezes së tij, mbante shoqëri të ngushtë me të kërkuarin numër një të sektorit që ai drejtonte në Durrës? Të gjitha këto pyetje tregojnë se Dalipaj ka pasur në Durrës një “ombrellë” mbrojtëse të krijuar nga policia e Durrësit, duke lëvizur lirshëm. Burimet thanë se kjo mbrojtje është krijuar pikërisht në muajin janar 2016, kur Dalipaj së bashku me Denis Shtrazën janë shoqëruar në ambjentet e policisë së Durrësit,sit ë dyshuar për vrasjen e Gazmend Çollakut.Shtraza dhe ish-shefi i sektorit të krimit ekonomik në Tiranë Dalipaj kanë qëndruar vetëm 12 orë në polici, pasi në mëngjes ata janë lënë të lirë.

Ndërkohë automjeti i tij tek “Mercedes-Benz Ml”, i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm dhe më pas është mbajtur i bllokuar në ruajtje, në ambjentet e policisë. Por vetëm 20 ditë pas kontrollit të parë, dy oficerë të policisë Durrës kanë zhvilluar një tjetër kontroll në makinën e shtetasit Ervin Dalipaj, ku në të kanë gjetur njolla gjaku, të Gazmend Çollakut. Fill pas kësaj është arrestuar menjëherë shoku i Dalipaj, Denis Shtraza teksa po shkonte në Rinas, për tu larguar nga Shqipëria. Ndërkohë Ervin Dalipaj që implikohej direkt në këtë vrasje, nuk ka mundur të arrestohet duke qëndruar për 16 muaj në arrati.

Në fakt Dalipaj,nuk qëndronte shumë i fshehur pasi një herë u shfaq publikisht, duke dhënë intervistë dhe për më tepër lëvizte me mjete luksoze në perimetrin Tiranë-Durrës, duke mos u shqetësuar nga asnjë efektiv policie.Por në fakt atë që ska mundur të bëjë policia e Shtetit, për të arrestuar dhe çuar para drejtësisë Dalipaj, këtë të fundit e kanë gjetur hasmit e tij, të cilët e kanë qëlluar me 32 plumba teksa udhëtonte me mjetin luksoz nën shoqërinë e shtetasit Juxhin Dauti, që është djali i tezes së shefit të sektorit të hetimit të krimit dhe Krimit të Organizuar në Durrës.Kushëriri i Arbër Zemanit, ka qënë shofer i Dalipaj, ditën kur ata janë sulmuar me armë automatike. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë dhe drejtohen nga prokurorët e Durrësit Agron Gjana dhe Drini Pali.

Para se të ekzekutoheshin dy viktimat kanë qënë nën shoqërinë e dy femrave në një lokal dhe më pas kanë shkuar në ambjentet e një servisi, ku kanë tërhequr një makinë tip Smart.Teksa kanë dalë në rrugë e kanë parë veten në breshëritë e kallashnikovit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Trupat e tyre janë mbuluar nga gjaku.

Përgjegjësia

Të dhënat tregojnë se Dalipaj dhe Juxhin Dauti, kanë pasur njohje direkte me shefin e sektorit të hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar Arbër Zemani në policinë e Durrësit. Ky i fundit është personi përgjegjës për hetimin e vrasjeve në Durrës.

Ditën e vrasjes, pronari i makinës ishte Gjermani

Policia kërkon verifikimin e GPS të makinës “Audi s8” dhe kërkon dëshminë e pronarit Ergys Hoxha për qëranë e makinës

Ditën kur është ekzekutuar me 32 plumba ish-oficeri i policisë Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, pronari i “Audit s8” që përdorej nga dy viktimat ka qenë në Gjermani. Nga të dhënat policore, por edhe nga një verifikim në profilin e “FB” të Ergys Hoxhës, rezulton se në 25 prill 2017, ai ka qënë në Dietzenbach të Gjermanisë, dhe pikërisht në terminalin e kompanisë “Audi”. Prej datës 25 prill, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë kërkuar të marrin dëshminë e Ergys Hoxhës, por ky i fundit ndodhet jashtë shtetit. Anëtarë të grupit hetimor që është ngritur për hetimin e vrasjes së dyfishtë kanë marrë kontakte në telefon me Ergys Hoxhën, i cili nga Gjermania mësohet se i ka konfirmuar se automjeti ishte në pronësi të tij dhe se e kishte lëshuar me qira tek një person, emri i të cilit nuk bëhet publik nga policia. Deri në këto momente nuk dihet nëse Ergys Hoxha, është kthyer në Shqipëri dhe nëse ka dhënë dëshmi para grupit hetimor.Dëshmia e tij mund të ndihmojë hetuesit lidhur me identifikimin e autorëve. Policia shprehet se do marrin të dhënat e GPS të makinës “Audi s8” për të parë në mënyrë kronologjike vendodhjen dhe lëvizjen e saktë, që kanë bërë dy viktimat Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti ditën e krimit dhe jo vetëm. Ndërkohë burimet shtojnë se Ergys Hoxha, njihet si posedues i makinave të shtrenjta dhe luksoze të cilat i lëshon me qira. Nuk dihet nëse Hoxha ka pasur takim direkt me të kërkuarin e drejtësisë Ervin Dalipaj, por kjo mbetet për tu verifikuar nga policia dhe prokuroria e Durrësit.

Makina për delegacionet e huaja në Shqipëri

Sipas policisë Hoxha njihet dhe si person që me automjetet e tij, ka bërë disa herë shoqërimin e delegacioneve të huaja që kanë vizituar Shqipërinë. Hoxha është kontraktuar nga qeveria shqiptare, të cilës i ka vënë herë pas here në dispozicion makina të blinduara, me qëllim transportimin e delegacioneve të huaja që kanë vizituar Shqipërinë. “Shqiptarja.com” zotëron disa fotografi të Ergys Hoxhës, ku me një automjet BMW të blinduar ka shërbyer për llogari të qeverisë shqiptare, ku ka shoqëruar delegacionet e huaja në kryeministri, presidencë, dhe institucione të tjera. Ndërkohë në profilin e tij në “FB” Ergys Hoxha rezulton të ketë udhëtuar me makinën tip “Audi S8”, duke postuar video dhe fotografi të makinës me targa AA 111 OI.Veç shërbimeve qeveritare që ka kryer me automjetet e tij të blinduara, burime policore thanë se Ergys Hoxha, i jepte makinat me qira dhe tek persona me precendë kriminale. Individë që i ndruheshin një hasmërie të mundshme dhe të një sulmi me armë shpesh herë, siguronin makina tek ky person. Një ndër ta thanë burimet policore, ka qenë dhe shtetasi Elton Çiço nga Tepelena, i vrarë një vit më parë. Çiço i ndruhej një hakmarrje nga grupi rival dhe për pasojë ka kërkuar një automjet të blinduar.

“Shkulet” serveri ku  ndodheshin filmimet

Megjithëse zona ku është bërë ekzekutimi i Ervin Dalipaj dhe shokut të tij, Juxhin Dauti është e mbuluar me biznese që survejohen nga dhjetëra kamera, prokuroria ka mundur të sekuestrojë vetëm një video, që tregon momentin e largimit të automjetit. Makina prej nga është qëlluar 32 herë me kallashnikov drejt dy personave është e tipit “BMW X5” dhe se ajo është kapur teksa lëviz me shpejtësi. Nga ana tjetër policia ka kërkuar kamerat e sigurisë të servisit ku vajzat dhe dy viktimat kanë shkuar për të tërhequr makinën tip “Smart”. Pronari i servisit, s’ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor, pasi u ka deklaruar se biznesi i tij është I rrethuar me kamera sigurie, por ai nuk ka të instaluar një server që mban në ruajtje pamjet filmike. Policia dyshon se serveri është zhdukur menjëherë pas vrasjes nga pronari i servisit, nga frika e një hakmarrje të mundshme kundër tij, nga autorët e krimit të rëndë. Pavarësisht kësaj grupi i hetimit megjithatë shpreson të grumbullojë filmime të tjera sigurie nga kontrollet që po ushtrohen në disa biznese përgjatë rrugës dytësore të Sukthit. Në këtë mënyrë, hetuesit shpresojnë të bien në gjurmët e dy automjetet në të cilat ndodheshin vrasësit e Dalipajt dhe Dautajt. Automjetet njëra “X5” dhe tjetra “Audi” janë përshkruar nga dëshmitarë okularë që panë skenën, se si u zbrazën breshëritë e automatikut mbi dy shokët.

Takimi

Nuk dihet nëse Hoxha ka pasur takim direkt me të kërkuarin e drejtësisë Ervin Dalipaj, por kjo mbetet për tu verifikuar nga policia dhe prokuroria e Durrësit.

Në telefon

Anëtarë të grupit hetimor që është ngritur për hetimin e vrasjes së dyfishtë kanë marrë kontakte në telefon me Ergys Hoxhën, i cili nga Gjermania mësohet se i ka konfirmuar se automjeti ishte në pronësi të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat