Basha: S’ka festë, është koha për protestë

Shqipëria

Basha: S’ka festë, është koha për protestë

Më: 8 mars 2017 Në ora: 11:59
Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka thënë se gratë, nënat e motrat shqiptare nuk i kanë të garantuara të drejtat kushtetuese.

Sipas tij, modeli i qeverisjes së Kryeminsitrit Edi Rama nuk është model i Shqipërisë europiane, por një model që promovon dhunën ndaj grave.

Nga çadra e opozitës, Basha tha se 8 Marsi nuk është ditë feste as në vendet ku e drejta e grave respektohet, ndaj dhe theksoi se sot është dita për protestë e bashkim.

“8 Marsi është një ditë proteste dhe përkujtimi në të gjitha vendet dhe shoqëritë, ku gratë nuk i kanë të garantuara në jetën e përditshme të drejtat kushtetuese, të drejtën për dinjitetin, pagën, punë të barabartë. E drejta për arsim, për punësim, për pagë e përfaqësim në vendimmarrje janë të drejtat të kërcënuara në vendet diktatoriale, por edhe në ato shoqëri që i thonë vetes demokratike, por që është fasadë. Fatkeqësisht kjo është e vërteta 4 viteve të fundit. E kemi parë të gjithë sesi gratë u spostuan për t’i bërë vend kriminelëve në parlament, atyre që trafikuan qeniet njerëzore. ”

Sipas kreu të PD, e keqja më e madhe në këtë vend, ajo që ka nëpërkëmbur dinjitetin dhe ka shkatërruar jetën e mijëra grave është modeli që Kryeministri Edi Rama ka sjellë në pushtet.

“Koha për të festuar të drejtat e grave është ende larg. Sot është koha për protestë dhe bashkim. Fytyra e vërtetë e republikës së re themelohet mbi bashkimin e grave shqiptare”.

Basha tha se republika e re do t’i japë grua respektin e merituar dhe theksoi se ky është 8 Marsi i fundit me votë të dhunuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat