Porosia e Bashës për demokratët: Hapeni partinë ndaj njerëzve

Shqipëria

Porosia e Bashës për demokratët: Hapeni partinë ndaj njerëzve

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 10:15
Lulzim Basha

“Hapje, bashkim, qëndrim pranë njerëzve”. Kjo është porosia që kreu i opozitës Lulzim Basha i ka dhënë banorëve të Përmetit, në një takim që ka zhvilluar me demokratët e këtij qyteti. Basha ka theksuar edhe një herë parimet që duhet të udhëheqin PD-në, për të sjellë një ndryshim të besueshëm e të pakthyeshëm në vend, duke e kthyer pushtetin tek qytetarët, duke qeverisur për 'ta, për nevojat e tyre.

“Si mund të pranoj të harxhoj për luks zyrash, për bileta avionësh, për karburant, për perde, për orendi 140 milionë dollarë në dy vite. Kur me këto para dhe të tjera të marra së bashku mund të hapen 55 mijë vende pune në vit, me rrogë mesatare 500 mijë lekë.

Cila është përgjigjja jonë si demokratë?! Të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për të gjithë. Të ndërtojmë një Shqipëri të shumicës dhe jo të pakicës. Si do ta bëjmë?! Duke ndërtuar një qeveri që u vjen në ndihmë njerëzve. Njerëzit që shkëputen nga hallet sapo i hipin pushtetit, nuk janë modeli im, nuk mund të jenë modeli i PD, jam i sigurt që nuk janë as modeli juaj.

A ka fushatë më të vërtetë, më besnike ndaj interesave të qytetarëve sesa kjo kur i pyet se si i kanë hallet dhe kur partia i ka të evidentuara këto halle, jo thjesht si teori por si rast pas rasti, me emër dhe mbiemër. Njerëzit me reputacion që duan të vijnë të bashkëpunojnë me ne, nuk duhet të shihen si kërcënim, nuk vijnë të marrin por vijnë të japin. Vijnë të ndajnë me ne shpresën për një Shqipëri ndryshe nesër. Ndaj kjo porosi është diçka tek e cila dua të insistoj fort sot, hapeni partinë ndaj njerëzve që duan të bashkohen, të japin kontributin e tyre”, tha Lulzim Basha.

Vendimi

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, një javë më parë deklaroi se Partia Demokratike sapo ka hyrë në një proces hapjeje, të vështirë, por që do të japë garanci të plota se ndryshimi që do të sjellë do të jetë i vërtetë për të përmirësuar jetën e çdokujt në Shqipëri. Basha theksoi se synohet një hapje jo për një makiazh, por për një proces i vërtetë për aleancë me qytetarët.

“Udhëtimi ynë do të jetë i vështirë, i sulmuar nga elitat që kontrollojnë ekonominë, mediat po jam i bindur se bashkë me shqiptarët do t’ia dalim që PD të kthejë shpresën për çdo shqiptar që do të ndërtojë jetën e tij këtu se në thelb ajo që po luftojmë është për një Shqipëri që afron mundësi jo vetëm për një grusht njerëzish, që duan të ruajnë statukuonë, por për të gjithë. Ky është një proces ku do të përfshihen të gjithë demokratët, Kryesia, degët e PD-së; një proces që ka qëllim hapjen e PD-së për këdo që është gati dhe të japë kontributin e saj për një udhëtim që ka për pikëmbërritje jo thjesht një rrotacion politik, por një politikë në dobi të njerëzve, jo vetëm të një elite. Do ta nisim duke e bërë PD-në një parti shqiptarësh, jo të një grushti drejtuesish dhe do të japim garanci me vepra që nesër do të ndryshojmë Shqipërinë”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat