Rama: Vazhdojmë me LSI-në nëse nuk "rimartohet" djathtas

Shqipëria

Rama: Vazhdojmë me LSI-në nëse nuk "rimartohet" djathtas

Më: 30 tetor 2016 Në ora: 17:10
Edi Rama e Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama thotë se ai e ka të qartë të ardhmen mbi koalicionin dhe tashmë pret vendimin e LSI-së. “Pas mbarimit të fushatës në LSI, ku unë besoj që nuk duhet të presim surpriza, pra nëse LSI nuk do të ‘rimartohet’ djathtas, ne do vazhdojmë të qëndrojmë bashkë majtas”, tha kreu i qeverisë në një intervistë për TV “Klan”.

Debate në koalicion shkaktoi edhe deklarata e Ministrit të Drejtësisë për përfshirjen e ushtrisë në betejën e shtetit me kultivuesit e kanabisit. Por Rama thotë se ai ishte vetëm një mendim personal.

“Ministri ka bërë thjesht një propozim, secili ka lirinë e vet për të bërë propozime të caktuara”, shtoi Rama. Kryeministri pohon se mazhoranca është gati të amendojë ligjin për importin e mbetjeve pasi presidenti e ktheu për rishqyrtim në kuvend, por përjashton mundësinë e  shfuqizimit të tij siç kërkojnë shoqatat ambientaliste.

Kryeministri Rama e sheh vendimin e pezullimit për ligjin e Vetingut nga Gjykata Kushtetuese si shprehje e rezistencës nga një aleancë që i druhet reformës në drejtësi, ku ai rreshton dhe opozitën. “Partia Demokratike po bën një përpjekje të gjithanshme për ta penguar reformën në drejtësi qysh në ditën e parë, diku duke hedhur gurin vetë, diku duke hedhur gurin e fshehur dorën që reforma të zvarritet. Gjykata Kushtetuese mori një vendim i cili është për mua shprehje e rezistencës që i bëhet reformës, por ajo që mund t’iu them unë është që Vetingu në Shqipëri do të bëhet", tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat