Tirana dhe Verona, një memorandum për mbetjet. Rama: Është shembull i fortë

Shqipëria

Tirana dhe Verona, një memorandum për mbetjet. Rama: Është shembull i fortë

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 18:58
Ilustrim

Në kryeqytet do të nisë diferencimi i mbetjeve që në burim. Në të gjithë Tiranën pritet të instalohen kontejnerë moderne, të ndarë sipas kategorive të mbetjeve. Kjo pas një memorandumi të lidhur mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës, i cili  parashikon krijimin e një ndërmarrjeje publike (Sha) të përbashkët të quajtur “EcoTirana” (në raport bashkëpunimi 51% Bashkia Tiranë, me 49% Bashkia Veronës), pritet të sjellë mundësi reale për të ndërhyrë fillimisht në skemën aktuale të këtij shërbimi.

Projekti në fjalë pritet të nisë nga zbatimi fillimisht në qendër të kryeqytetit, zona brenda Unazës, për t’u shtrirë më pas në të gjithë territorin e Tiranës. Projekti parashikon ndarjen e mbeturinave që në burim dhe mbulimin brenda 18 muajsh të gjithë territorit të Tiranës me aktivitetin e kompanisë së re publike.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit nga kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, dhe ai i Veronës, Flavio Tosi, ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se kjo marrëveshje është vetëm hapi i parë drejt një historie suksesi, në një fushë të pashkelur më parë, siç është diferencimi i mbetjeve që në burim në vendin tonë. “Sot jemi akoma në mes të një debati të nxehtë për riciklimin, ndaj është momenti për të dhënë një shembull të fortë për faktin se ne, nga njëra anë kemi një interes kombëtar, publik shumë të rëndësishëm për të mbështetur gjithë industrinë e lehtë shqiptare të riciklimit të mbetjeve të gjelbra, por, nga ana tjetër, kemi gjithashtu nevojë të ngremë në këmbë një sistem të ri për të transformuar qytetarët në partnerë të këtij aktiviteti, i cili është një aktivitet ekonomik i rëndësishëm për ndërmarrjet e riciklimit, por mbi të gjitha është një aktivitet qytetar për një mjedis të shëndetshëm, të pastër që krijon punësim, krijon punë të pastër dhe që e bën ekonominë më të fortë”, u shpreh Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat