Opozita rikthehet në Komision, “Vetting”-u votohet brenda gushtit

Shqipëria

Opozita rikthehet në Komision, “Vetting”-u votohet brenda gushtit

Më: 3 gusht 2016 Në ora: 11:04
Lulzim Basha

Opozita është rikthyer pas dy muajsh mungesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, duke bërë parashtrimet dhe sugjerimet e saj për ligjin për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërkohë komisioni ka rënë dakord që punën për ligjin e vlerësimit ta vijojnë ekspertët në mënyrë më të detajuar. Partia Demokratike nuk politizoi asnjë nga çështjet e projektligjit të “Vetting”-ut dhe materiali i saj prej 57 faqesh rreth draftit është një kritikë për secilin nga nenet. Të dyja palët e kanë cilësuar projektin një çështje delikate dhe u kanë dhënë ekspertëve rreth 2 javë kohë për të rishikuar projektligjin.

Nga mbledhja me dyer të mbyllura prej afro 1 orë, nënkryetari i Komisionit Oert Bylykbashi konfirmoi se kishte prezantuar vërejtjet e opozitës, ndërsa përfaqësuesit e maxhorancës nuk bënë komente për mediat. “Parashtruam çështjet dhe do të punojnë ekspertët tani”, tha Bylykbashi në përfundim të mbledhjes së komisionit. Prezantimi ka qenë i përgjithshëm, dhe anëtarë të maxhorancës duke vlerësuar parashtrimin e demokratëve konfirmuan se deri më tani nuk ka një çështje që mund të shërbeje për të ndezur debatin politike. Ekspertët do të kenë mundësi pas të enjtes të marrin në duar materialin e përkthyer me sugjerimet e plota të EURALIUS-it për të nisur punën.

Bëhet gjithashtu me dije se thirrja e seancës së ardhshme parlamentare ka qenë në vëmendje të diskutimeve, dhe të gjitha palët kanë qenë dakord për një seancë brenda gushtit, por data ende mbetet e pacaktuar. Siç ishte rënë dakord më herët, sapo ekspertët të përfundojnë me zbardhjen e ndryshimeve, Komisioni do të diskutojë edhe dy projektligje të tjera të paketës së emergjencës, atë të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe projektligjin e Prokurorisë Antikorrupsion.

Kundërshtimet e demokratëve

Partia Demokratike në analizën që i ka bërë draftit nuk është dakord me nenin 34 të projektligjit që lidhet me standardet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të kufizimeve të tij.

Ky nen në procesin e rivlerësimit cilëson si rrethanë ndaluese dhe kur subjekti është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar, gjithashtu subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim me një person të përfshirë në krimin e organizuar, apo ku subjekti i rivlerësimit merr pjesë në takime, aktivitete, ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.

E pikërisht ky kufizim krahas dhe kufizimeve të tjera në draftin përfundimtar të ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS mund të jenë mosmarrëveshja e radhës mes opozitës dhe maxhorancës, pas tejkalimit të debatit për procedurën e miratimit të ligjit. Po ashtu PD kundërshton pikën e draftit të OPDAT dhe EURALIUS ku thuhet se asnjë politikan që ka qenë pjesë e forumit drejtues të partive në 10 vitet e fundit nuk do të ketë mundësi të drejtojë në 6 institucione të drejtësisë.

Sipas parashikimeve të ndryshimeve kushtetuese që u miratuan në 22 korrik në Kuvend masat e forta që synojnë shmangien e drejtësisë nga politika, përcaktojnë se asnjë kandidat jo gjyqtar që ka mbajtur pozicion drejtues në një parti politike 10 vitet e fundit para kandidimit nuk do të mund të konkurrojë për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetutës, të Lartë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, asaj të Prokurorisë dhe drejtues i Prokurorisë së Përgjithshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat