Riintegrimi i shqiptarëve të kthyer si emigrantë të paligjshëm/Klosi: Ktheni sytë nga arsimi profesional, e vetmja mënyrë të gjeni punë në BE

Shqipëria

Riintegrimi i shqiptarëve të kthyer si emigrantë të paligjshëm/Klosi: Ktheni sytë nga arsimi profesional, e vetmja mënyrë të gjeni punë në BE

Nga: Gjergj Koja Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 12:21

Ktheni sytë nga arsimi dhe formimi profesional. Ky ka qenë apeli i ministrit të Mirëqënies Sociale Blendi Klosi drejtuar shqiptarëve, sipas të cilit kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur punë në mënyrë të rregullt në Europë.

“Ka ardhur koha që çdo qytetar shqiptar të kuptojë se ka zero shanse për emigracionin ilegal për të gjetur punë të denjë nëpërmjet një profesioni dhe shkollimi”, tha Klosi gjatë një conference të organizuar me synimin e riintegrimit të shqiptarëve që janë kthyer nga vendet e BE-së si emigrantëve të paligjshëm.

Minstri i Mirëqënies Sociale theksoi se përvoja e viteve të fundit ka treguar se nuk ka asnjë mundësi që një emigrant që tenton në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së të qëndrojë atje dhe të marrë statusin e azilantit. Sipas tij, vetëm pasja e një zanati të certifikuar dhe aplikimi sipas politikave të legjislacionit të vendeve të BE-së, është rruga e vetme për të emigruar. Ndaj theksoi ai, është e domosdoshme që edhe në këtë aspekt shqiptarët gjithmonë e më shumë të kthejnë sytë nga arsimi dhe formimi profesional.

“Ne po e themi prej shumë kohësh që ka një mënyrë për të shkuar në Europë dhe kjo është mënyra e drejtë, me një profesion në Europë mund të gjesh punë. Nëse je i shkolluar, nëse je i profesionalizuar dhe nëse ke një zanat, në Europë mund të gjesh punë”, - shtoi Klosi në fjalën e tij.

Po ashtu, edhe për emigrantët e kthyer qeveria ka parashikuar si një masë për riintegrimin e tyre në shoqëri sërish arsimin profesional falas, si e vetmja mënyrë për të marrë një zanat dhe për t’i krijuar mundësi vetes që të punësohen si në tregun e brendshëm të punës, ashtu edhe ate europian sipas ligjeve të BE-së.

Padyshim që ne duhet të përpiqemi të gjithë së bashku t’u ofrojmë atyre mikpritje në pikat e kthimit në kufi, shërbime sa më të shpejta, qoftë shëndetësore apo edhe përkujdesit të parë për shërbime falas për t’i çuar pranë familjeve të tyre.

Por në strategjinë tonë do vazhdojë të ngelet një nga pikat kryesore riintegrimi i tyre në shoqëri duke iu ofruar arsim profesional, duke iu ofruar një zanat falas dhe duke iu dhënë mundësi që nëpërmjet këtij zanati të bëhen të denjë në radhë të parë për tregun shqiptar të punës dhe më pas, me lehtësirat që ka legjislacioni i vendeve të BE-së, të kenë mundësi që edhe po të ritentojnë të shkojnë në Europë, të shkojnë nëpërmjet një kontrate të rregullt pune dhe si shtetas të përgatitur për një punë të denjë”, theksoi Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat